Lajme

Grenell: Thaçi u arrestua nga Specialja pasi ish-prokurori Smith dëshironte të sabotonte arritjet e Trump në dialog


Jack Posobiec dhe Richard Grenell

Ish i dërguari i posaçëm i ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në një intervistë të dhënë për gazetarin, Jack Posobiec, të mediumit amerikan, Human Events, ka komentuar vendimin e ish-prokurorit të Gjykatës Speciale, i emëruar rishtazi si Këshilltar Special në rastin e Donald Trump, Jack Smith, për të ngritur aktakuzë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë

Diplomati Grenell ka argumentuar se për shkak të urrejtjes së madhe që ka Smith ndaj ish-presidentit amerikan i njëjti me çdo kusht ka dashur të sabotojë arritjet e Trump sidomos në politikën e jashtme që përfshijnë marrëveshjet historike të paqes në Korenë e Veriut, Lindjen e Mesme, në Korenë e Jugut dhe sidomos marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Arrestimi dhe paraburgosja e ish-presidentit Thaçi në Speciale, sipas Grenell, ka ardhur në dritën e kësaj.

“Smith e pa një mundësi për të prishur sukseset historike të Donald Trump-it përmes marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe mënyra se si ai do ta bënte këtë ishte të arrestonte presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, për të sabotuar negociatat e paqes së Trump”, ka potencuar ai.

Sipas tij aktakuza e Smith ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve është shumë e dobët.

“Smith është shumë më i mirë për të qenë një luftëtar i tastierës dhe për të thënë gjëra të çuditshme nga larg. Kur duhet të provojë veten, ai fillon të bëhet shumë nervoz”, ka shtuar më tej ai.

“Smith la një punë të qetë dhe me pagesë të lartë në Hagë, në të cilën ai ishte përgjegjës për ndjekjet penale në Kosovë ai nuk mund të përballojë garën e Trump drejt rizgjedhjes me fitore pas fitoreje në skenën botërore”.

Diplomati amerikan ka theksuar se gjatë presidencës së Trump ishte bërë progres saqë ishte diskutuar edhe largimi i trupave të NATO-s nga Kosova.

“Për shkak se ne ishim duke bërë aq shumë progres, ne diskutuam idenë potenciale për heqjen e NATO-s nga Kosova në vitin 2020”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore