Lajme

Grenell për zv/president me Trump president…ndoshta


Richard Grenell ka luajtur një rol me rëndësi nën administratën e Donald Trump, gjatë kohës kur ky i fundit ishte President i SHBA-ve.

Përtej faktit se ai ishte drejtues në detyrë i Inteligjencës Kombëtare amerikane, një rol mjaft me rëndësi Grenell e ka pasur edhe në Ballkan, duke qenë se u përcaktua si emisar për Ballkanin Perëndimor nga Trump.

Zërat e fundit ama, e japin atë në një post shumë më të lartë. Ndoshta, edhe më të lartë se vetë Grenell mund të kishte imagjinuar.

Në një konventë që pritet të mbahet në Iowa nga “Westside Conservative Club”, por edhe në Dallas më pas në konventën e Partisë Republikane, ish-emisari do të flasë për strategjinë e re (sa të vjetër) të Donald Trump, “America first”.

Nuk dihet nëse ish-presidenti do të garojë realisht në zgjedhjet e vitit 2024. Por, nëse ndodh, Grenell mund të jetë numri dy i Shtëpisë së Bardhë, pasi pritet të garojë si zëvendëspresident i SHBA-ve.

Vetë këshilltarë të Trump, kanë thënë për median “Politiko” se Grenell është rritur shumë në vlerësimet e Trumpit.

Ndryshe nga Mike Pompeo, ish-emisari për Ballkanin nuk ka qëllime të garojë për president dhe kjo e bën atë shumë më të qëndrueshëm dhe të fortë në optikën e Trumpit.

Një fushatë jo pro Trumpit, por kundër demokratëve, mbi të gjtiha për atë që ai e cilëson si një ‘linçim publik të ish-presidentit”, Grenell nuk e ka ndalur asnjëherë.

Përfshi këtu edhe gjyqet e shumta publike që kongresmenët e senatorët amerikanë demokratë po ndërmarrin ndaj Trumpit, mbi ngjarjet në Capitol Hill më 6 janar 2021.

A është Iowa një përzgjedhje e rastësishme? Jo!

Kjo pasi aty, në më të shumtën e rasteve, republikanët i kanë shpallur kandidaturat për garues në primare e më pas në zgjedhjet presidenciale.

Këtë vit, Iowa sërish do të jetë e para që do të japë emrat kandidatë, për të nisur procesin.

Diplomati 55-vjeçar, nuk është ende e qartë nëse do të garojë realisht apo jo.

Veçse mundësia – jo e vogël – ekziston…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore