Lajme

Gratë afgane s’mund të punojnë as në OJQ, ligji i ri taleban


Nuk do të kenë më mundësi të punojnë as një Organizata Jo-Qeveritare gratë afgane, sipas një ligji të ri të prezantuar nga forcat talebane, i cili i ndalon ato në mënyrë strikte të ndërmarrin hapa të tillë të punësimit.

E gjithë kjo, pasi atyre iu ndalua e drejta për arsimimin e lartë.

Sipas arsyetimit nga forcat talebane, gratë dhe vajzat, të cilat kanë punuar në OJQ të ndryshme, kanë shkelur ligjin e Sheriatit dhe nuk e kanë mbajtur në mënyrë korrekte shaminë, siç e përcakton legjislatura islamike.

Kjo gjë, ka shkaktuar menjëherë një frikë të madhe tek të gjitha gratë afgane jo vetëm në Kabul, por në gjithë territorin afgan, pasi përtej heqjes së lirive themelore, ato po i druhen edhe ekzekutimit të tyre, në rast të një përshkallëzimi të situatës.

Kështu kanë thënë të paktën disa gra për median shtetërore britanike BBC, të cilat e kanë cilësuar veten si të pashpresa.

“Unë jam burimi kryesor i të ardhurave në familjen time”, i tha BBC-së njëra prej tyre. “Si mundem unë tashmë t’i mbështes ata dhe t’i ofroj jetesën e duhur?”.

Një tjetër, i ka cilësuar të papranueshme rregullat e “moralit islamik” të vendosura nga talebanët, duke thënë se tashmë ajo do ta ketë shumë të vështirë të ushqejë fëmijët e saj dhe të paguajë faturat.

Të tjera po ashtu janë ankuar se bota po e sheh situatën e fundit në Afganistan dhe asgjë nuk po bëhet për t’i ardhur në ndihmë komunitetit.

Prej ikjes së forcave amerikane dhe atyre të huaja në 15 gusht 2021 nga Kabuli, forcat taleban morën kontrollin dhe rikthyen një sërë rregullash të ligjit islam (të ndryshuar sipas mënyrës së tyre), ku të drejtat e grave dhe liria e tyre vihen në diskutim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore