Lajme

Grabitje në Ferizaj, dy të dyshuarit në arrati


Policia e Kosovës.

Dy persona të maskuar kanë sulmuar një market në Ferizaj, nën kërcënimin e armës duke i grabitur 200 euro dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të policisë.

“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se në marketin e tij, dy persona të maskuar nën kërcënimin e armës, i kanë grabitur 200 € dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Njësitë policore kanë dalë ne vendin  e ngjarjes. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raport.

Ndërsa, dy raste të dhunës në familje janë raportuar në Pejë, ku për të dy rastet janë duke vazhduar hetimet.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti vazhdimisht ushtron dhunë brenda anëtarëve të familjes. I dyshuari për shkak se ishte në gjendje të dehur, në konsultim me prokurorin është dërguar në mbajtje, ndërsa pas këndelljes pritet intervistimi i tij. Rasti duke  u hetuar”, thuhet në raport.

Kurse për rastin e dytë i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se djali i tij i dyshuari në vazhdimësi shkakton dhunë në familje. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari i lartcekur dhe pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”.

Një rast tjetër është raportuar si kalim ilegal i kufirit Serbi – Kosovë, rast për të cilin janë intervistuar dy të dyshuar meshkuj.

“Janë ndaluar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit me veturë kanë kaluar ilegalisht kufirin Serbi-republika e Kosovës. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”.

Në raportin e policisë të hënën ishin raportuar pesë raste të dhunës në familje për vetëm 24 orë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore