Sport

Gotze do të rikthehet në Bundesliga


Futbollisti gjerman, i cili mbahet mend për golin e shënuar në Kupën e Botës kundër Argjentinës, Mario Gotze, është fare pranë rikthimit në Bundesliga.

Sipas asaj që shkruan “Sport 1”, Gotze ka arritur akord me klubin e Eintracht Frankfurt dhe transferimi i tij pritet të ndodhë në ditët e ardhshme.

Mediumi i lartcekur shkruan se fituesit e Ligës së Evropës kanë bindur 30-vjeçarin të rikthehet pas dy vitesh në Bundesliga, kampionat ku më parë ka luajtur me gjigandët: Borussia Dortmund dhe Bayern Munchen.

Megjithatë, për t’u kompletuar transferimi, duhet edhe marrëveshja me klubin e PSV Eindhoven, të cilët kanë pronësinë e mesfushorit gjerman.

Klubi holandez kërkon 4 milionë euro për ta lënë të lirë lojtarin ofensivë, shumë që drejtuesit e Eintracht-it nuk e kanë aspak problem ta paguajnë.

Për shërbimet e lojtarit të njohur u interesuan edhe Benfica e Inter Miami, por Frankfurti që sezonin e ardhshëm do garojë në Ligën e Kampionëve, u tregua më bindës dhe gjeti marrëveshjen me agjentin e Goetze-s.

Kutjojmë që sezoni i fundit ishte shumë i mirë për Gotze-n, i cili në 52 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e PSV-së, shënoi 12 gola dhe dhuroi 11 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore