Lajme

Goditjet ushtarake – qindra humbje jete në Myanmar


Një gjashtëvjeçare, e qëlluan në bark, ndërsa vraponte drejt babait të saj. Një grua rreth të shtatëdhjetave u vra, teksa po i falte lutjet në shtëpinë e saj. Të rinjtë dhe të rejat u vranë, ndërkohë që protestuan në rrugë, duke kërkuar demokraci.

Viktimat e goditjes të Myanmar-it, pas grushtit të shtetit përfshijnë të gjitha moshat, klasat shoqërore dhe prejardhjet etnike dhe fetare. Ato përfshijnë studentë dhe poetë, infermierë dhe staf të bankës, politikanë dhe punëtorë ndërtimi.

Pothuajse shtatë muaj, pasi ushtria mori pushtetin më 1 shkurt, forcat e sigurisë të Myanmar-it kanë vrarë më shumë se 1 mijë persona në një përpjekje për të shtypur rezistencën, sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), një grup aktivistësh që ka gjurmuar arrestimet dhe vdekjet.

Ushtria e Myanmar-it thotë se AAPP është e njëanshme dhe se shumë më pak njerëz janë vrarë.

Junta që tani qeveris vendin refuzon akuzat nga grupet e të drejtave se është përgjegjëse për mizoritë që Kombet e Bashkuara kanë thënë se mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit.

Në mes të prillit, ushtria pranoi vdekjen e 248 protestuesve, por tha se ata kishin filluar dhunën. Junta ka thënë se dhjetëra anëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë.

Shumë nga civilët e vdekur u vranë në protesta. Të tjerët ishin thjesht në “vendin e gabuar në kohën e gabuar”.

Jetë të reja të humbura

Kur filluan protestat, Thinzar Hein u bashkua me qindra mijëra njerëz në rrugë, duke organizuar demonstrata të përditshme. Ajo ishte një studente 20-vjeçare, nga një brez që u rrit në një epokë të lirisë relative, pasi ushtria që sundoi për gjysmë shekulli filloi reformat në 2011 dhe ra dakord për formimin e një qeverie civile.

 

Rreth 55 për qind e 54 milionë njerëzve të Myanmar-it janë më pak se 30 vjeç dhe demonstratat e hershme në rrugë u mbushën me një ndjenjë argëtimi.

Protestuesit prodhuan një rrjedhë të pafundme memesh dhe vunë në skenë rutina vallëzimi në rrugë. Një parullë popullore ishte, “Ju u ngatërruat me brezin e gabuar”.

Tri ditët më të përgjakshme

Pasi forcat e sigurisë filluan të përdorin raunde të drejtpërdrejta, numri i të vdekurve u rrit me shpejtësi. Shumë u vranë në goditjet njëditore në tre qytete: Yangon, Bago dhe Mandalay. Aung Zin Phyo, 20 vjeç, u vra në Mandalay në atë që do të bëhej dita më vdekjeprurëse: 27 marsi, Dita e Forcave të Armatosura të vendit.

Ushtria shënoi datën me një paradë të armëve në kryeqytetin Naypyitaw, ndërsa shtypi demonstratat masive. Një natë më parë, kanali shtetëror i lajmeve MRTV paralajmëroi demonstruesit që “të mësojnë nga tragjedia e vdekjeve të mëparshme të shëmtuara se mund të jeni në rrezik të qëlloheni në kokë”.

Trupat vranë të paktën 160 njerëz më 27 mars, 78 prej të cilëve në rajonin e Mandalay, ish-kryeqyteti mbretëror i vendit.

Atë mbrëmje, udhëheqësi i juntës, Min Aung Hlaing, priti diplomatët për një darkë, gjatë së cilës imazhi i tij u projektua në qiell me dronë që mbanin dritat LED.

Grushti i shtetit

Ushtria e Myanmarit ka marrë në dorë vendin me anë të një grushti shteti. Ata kanë arrestuar kancelaren Aung San Suu Kyi dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit.

Ky grusht vjen pas disa ditësh tension mbi rezultatin e zgjedhjeve të fundit të nëntorit 2020.

Kancelarja 75-vjeçare Aung, presidenti Win Myint dhe pjesëtarë të tjerë Ligës Kombëtare për Demokraci u arrestuan në rezidencën qeveritare të kryeqytetit, Naypyidaw.

Gjendja e emergjencës-dy vite

Gjashtë muaj pas ditës që ushtria e Myanmar-it bëri një grusht shteti dhe imponoi një sundim të terrorit mbi vendin, udhëheqësi i juntës, gjenerali i lartë Min Aung Hlaing, tha të dielën e 1 gushtit se një gjendje e jashtëzakonshme kombëtare do të zgjatet për dy vite.

Lëvizja, e shpallur në një fjalim televiziv, në të vërtetë përjashtoi çdo rikthim në demokraci para vitit 2023 për Myanmarin.

Ai, gjithashtu, kundërshtoi garancitë e gjeneralëve, menjëherë pas grushtit të shtetit, se ata ishin seriozë për rikthimin e lirive politike.

Më vonë, të dielën, Këshilli i Administratës Shtetërore, siç e quan vetë junta, njoftoi formimin e një qeverie të re kujdestare me gjeneral Min Aung Hlaing si kryeministër.

“Që nga fillimi, ne e dinim që ata nuk do t’i mbanin premtimet e tyre dhe se do të merrnin mjedisin politik që donin”, tha Ko Aung Thu, një udhëheqës i rezistencës mbarëkombëtare ndaj grushtit të shtetit.

“Nëse ata zgjasin gjendjen e jashtëzakonshme deri në gusht 2023, duhet të vazhdojmë të protestojmë derisa ato të bien disi”.

Situata pandemike

Myanmar gjithashtu është prekur dhe nga coronavirusi, një katastrofë shëndetësore që është përkeqësuar nga junta. Ushtria ka monopolizuar furnizimet me oksigjen.

Një tregti private me oksigjen u bë e paligjshme. Trupat po grumbullohen në krematoriume, thanë dëshmitarët, edhe pse autoritetet shëndetësore kombëtare, nën kontrollin e juntës, raportojnë çdo ditë numra dyshues të ulët të vdekjeve.

Zyrtarisht, Myanmar raportoi 4 mijë e 725 raste të coronavirusit dhe 392 vdekje të shtunën.

Javën e kaluar, ushtria njoftoi në rrjetin e saj televiziv se po ndërtonte një krematorium, që do të ishte në gjendje të digjte deri në 3 mijë trupa në ditë.

Përfaqësuesit e disa prej atyre grupeve etnike janë bashkuar me anëtarët e qeverisë së zgjedhur të rrëzuar të Myanmar-it, së bashku me udhëheqësit e shoqërisë civile, për të formuar atë që ata e quajnë Qeveria e Unitetit Kombëtar, e cila vepron në fshehje.

Pavarësisht një klime të krijuar nga goditja ushtarake dhe virusi, një lëvizje protestuese mbarëkombëtare është mbajtur për gjysmë viti.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore