Lajme

Godfrey për dialogun: “Çdo marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës do të kërkojë një kompromis”


Ambasadori i SHBA-ve në Serbi, Anthony Godfrey

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Anthony Godfrey, ka deklaruar se çdo marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës kërkon një kompromis mes dy vendeve.

“Ne të gjithë jemi dakord se duhet të ketë një dialog produktiv midis Beogradit dhe Prishtinës dhe se njerëzit nuk mund të vijnë në tryezë me kërkesa pa qenë gati për kompromis”, ka thënë ai.

Për këtë Godfrey është shprehur se “Çdo marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës do të kërkojë një kompromis nga të dyja palët dhe duhet të ketë gatishmëri reciproke për bisedime,” për mediat serbe.

Ambasadori amerikan ka përsëritur se SHBA-të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian (BE) dhe se ata (SHBA-të) presin “që ai të zhvillohet në atë mënyrë që si Beogradi ashtu edhe Prishtina të përparojnë në rrugën e tyre drejt BE-së”.

Nisma rajonale “Open Balkan” (Ballkani i Hapur) për ambasadorin Godfrey është një hap drejt integrimit shumëdimensional të rajonit.

“Jam i kënaqur që kam parë kohët e fundit hapa shtesë drejt integrimit më të madh ekonomik rajonal, për t’i treguar njerëzve se bashkëpunimi më i mirë në rajon kontribuon për veten e tyre, se e ardhmja e tyre është më e ndritshme dhe se ata kanë një ekonomi më të fortë për të punuar në mënyrë më efektive”, është shprehur ambasadori Godfrey.

Liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë zyrtarizuar “Open Balkan” (Ballkani i Hapur) e njohur më parë si “Mini-Schengen”. Kjo është bërë e në kuadër të Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal të mbajtur në Shkup.

OPEN BALKAN-Shkup

Sipas liderëve shtetërorë të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, kjo nismë është për të mirën e qytetarëve, për ekonominë dhe lëvizjen e lirë të bizneseve, duke u bazuar në besimin mes vendeve dhe në mes institucioneve të këtyre vendeve.

Në këtë forum, tre shtetet nënshkruan marrëveshjen për fuqi të lirë punëtore, me të cilën qytetarët e tre shteteve do të mund të punojnë në Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni të Veriut pa ndonjë leje pune që deri tani është dashur që ta marrin nëpër zyrat e punës nëpër institucione apo zyrat e policisë. Kjo marrëveshje do të vlejë prej 1 janarit të vitit 2022.

Marrëveshja dytë e nënshkruar është për bashkëpunimin për rajon të gjelbërt për realizimin e aktiviteteve në mbrojtjen e natyrës dhe promovimin e turizmit malor dhe mbrojtjen e parqeve nacionale. Në këtë marrëveshje hynë edhe aktiviteti i përbashkët në raste të katastrofave humanitare. Kjo marrëveshje do të hynë në fuqi prej 1 janarit të vitit 2022.

Gjithashtu, pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara është edhe heqja e kufijve. Kjo marrëveshje do të hyj në fuqi prej 1 janarit të vitit 2023.

Qeveria e Kosovës për Albanian Post në një përgjigje me shkrim lidhur me mos-participimin e Kosovës në Shkup ka thënë se, “Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Në Shkup në Forumin ekonomik, përveç Kosovës nuk kanë marrë pjesë as Mali i Zi, e as Bosnja e Hercegovina.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore