Lajme

Gjykimi ndaj Shalës vazhdon me 16 qershor, anulohen dy seanca


Pjetër Shala.

Procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës, pritet të vazhdoj të premten e 16 qershorit me paraqitjen e provave nga ana e Prokurorisë, ndërsa dy seancat që kanë qenë të planifikuara për këtë javë janë anuluar.

Lajmi është bërë i ditur gjatë dëgjimit të dëshmitarit të shtatë në Speciale kundër Shalës.

Po ashtu, në mbyllje të seancës së të martës trupi gjykues ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Shalës lidhur me rishqyrtimin e vendimit për deklaratat e mëparshme të të akuzuarit.

“Trupi gjykues i ka marr në konsideratë parashtrimet e bëra nga palët përfshirë përgjigjet e ZPS-së dhe kundër-përgjigjet e mbrojtjes. E rrëzojmë kërkesën, së pari trupi gjykues vëren se rishqyrtimi nuk duhet të përdoret si një mjet i dytë apelimi apo për të riparashtruar kërkesën përpara trupit gjykues për të cilat është marr vendim përpara”.

“Pranueshmëria e deklaratave të të akuzuarit është parashtruar si kërkesë trupit gjykues i ka leje mbrojtjes që të apeloj vendimin e vetë”.

Tutje, është sqaruar se ky vendim është marrë në bashkëpunim me Gjykatën e Apelit.

“Mbrojtja e ka bërë këtë gjë dhe Gjykata e Apelit ka marr vendim mbi këtë aspekt dhe e kanë lënë në fuqi vendimin e trupit gjykues, mbrojtja nuk mund të përdor rregullën 79 të rregullores për të rihapur çështje për të cilat është marr vendim”.

“Trupi gjykues mendon se është të rëndësishme që të ruhet parimi i finalitetit, faktit që vendimi është i formës së prerë dhe konstaton që rishqyrtimi nuk është justifikuar për këtë arsye trupi gjykues rrëzon kërkesën e mbrojtjes”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia.

Ndryshe, edhe deklaratat e dëshmitarit të shtatë të martën janë dëgjuar në seancë të mbyllur.

Edhe më 5 qershor të hënën, dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Shalës, por që seanca edhe kësaj radhe është duke u mbajtur private.

Dëshmitari i shtatë e ka filluar dëshminë e tij më 30 maj dhe e ka vazhduar edhe më 31 maj, duke iu përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) dhe mbrojtësit të viktimave.

Shala ishte arrestuar më 16 mars të vitit 2021 nga autoritete belge.

Ndërsa transferimi i tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës u bë më 15 prill 2021.

Shala sipas aktakuzës ngarkohet me përgjegjësi penale individuale me forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhej në aktakuzë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore