Lajme

Gjykatësi amerikan përcakton se postimet e Elon Musk në vitin 2018 ishin të pasakta


Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një gjykatë ka përcaktuar se postimet e Elon Musk në vitin 2018, që financimi ishte siguruar për të privatizuar prodhuesin e makinave elektrike Tesla, ishin të pasakta dhe të pamatura.

Referuar asaj, “nuk kishte asgjë konkrete” në lidhje me financimin nga fondi i pasurisë sovrane i Arabisë Saudite në atë kohë.

Vendimi paraprak i gjykatësit Edward Chen ka përfaqësuar një fitore të madhe për investitorët në një proces gjyqësor që akuzon Musk-un për fryrjen e çmimeve të aksioneve duke bërë deklarata të rreme me miliarda dollarë dëme.

Musk, në vitin 2018, u takua me përfaqësues të Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite dhe pati një diskutim në lidhje me marrjen private të Tesla-s.

Por provat treguan se “nuk kishte asgjë konkrete në lidhje me financimin”, ka thënë gjyqtari.

“Përkundrazi, diskutimet midis tyre ishin qartësisht në fazën paraprake”, ka shtuar Chen.

Ai ka treguar se detaje si shuma totale e fondeve të nevojshme për të marrë privatisht Tesla-n ose çmimi që do të paguhet për aksionet e saj nuk janë diskutuar.

Gjykimi i përmbledhur, i bërë më 1 prill, është vulosur më shumë se një muaj përpara se të bëhej i disponueshëm publikisht.

Sakaq, vendimi ka qenë në përputhje me një ankesë nga Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë.

Rregullatori në vitin 2018 e paditi Musk-un për mashtrim në lidhje me tweet-et. Më pas, Musk u pajtua me rregullatorin, duke u larguar si kryetar i Tesla-s, duke paguar gjoba dhe duke rënë dakord që një avokat të miratonte disa nga tweet-et e tij përpara se t’i postonte.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore