Kosova

Gjykata Supreme konfirmon dënimin për krime lufte ndaj Nenad Arsiç-it


Ilustrim

Kolegji i Gjykatës Supreme si të pa bazë e ka konsideruar kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë të të dënuarit Nenad Arsiç, për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” në Kosovë.

Andaj, kërkesa e palës mbrojtëse të të dënuarit është hedhur poshtë nga KGjS, rrjedhimisht është konfirmuar dënimin prej gjashtë vjetësh burgim për Nenad Arsiç-in, për krime lufte të kryera në Kosovë në vitin 1999.

I dënuari për krime lufte Nenad Arsiq

Në aktgjykimin PML nr.280/2021, Gjykata Supreme ka vu në pah se gjykatat e instancave më të ulëta, e posaçërisht gjykata e shkallës së parë si gjykatë e faktit në mënyrë të gjithanshme ka dhënë arsyetim të mjaftueshëm për të gjitha provat e administruara dhe po ashtu edhe përkitazi me mbrojtjen e të dënuarit.

Gjykata Supreme njëjtë sikurse ka konstatuar gjykata e shkallës së parë në aktgjykimin e saj, ka aprovuar në tërësi atë.

“Skeleti i akuzës bazohet në dëshmitë e të dëmtuarve përkatësisht dëshmitarëve S. dhe J.Sh, andaj me të drejtë, dëshmitë e tyre kanë qenë dëshmi vendimtare në këtë çështje penale”, thuhet në konstatimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Dëshmitë e dëshmitarëve vlerësohen në tërësinë e tyre. Janë dëshmi të besueshme dhe konsistente, dhe se përfundimet e gjykatave të instancave më të ulëta gjyqësore i aprovon në tërësi edhe Gjykata Supreme thuhet në aktgjykimin e saj në rastin e të dënuarit për” krime lufte kundër popullatës civile”, Nenad Arsiç-it.

Gjykata Themelore e Prishtinës, në dënimin e shqiptuar ndaj Arsiç-it ka thënë se do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 22 tetor të vitit 2019.

Arsiç ishte dënuar në dhjetor të vitit 2020 për dhunën që kishte ushtruar ndaj dy personave që kishin marrë pjesë në aksionin kundër popullsisë shqiptare gjatë muajit maj të vitit 1999.

Rasti kishte ndodhur në lagjen “Emshir” të Prishtinës. Ata i kishin detyruar viktimat të pinin alkool e të këndonin këngë serbe.

Si pasojë e dhunës së ushtruar, Gjykata Themelore kishte thënë se viktimat J.Sh. dhe S.Sh. vuajnë edhe sot pasojat e shkaktuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore