Kosova

Gjykata Speciale refuzon kërkesën për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së


Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e avokatëve për lirimin me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Nicolas Guillou, gjykatësi i procedurës paraprake, ka vendosur që kërkesat për lirim të përkohshëm me kusht të gjithë akuzuarve të refuzohen.

Janë renditur disa nga argumentet se pse ish-krerët e UÇK-së, sipas organit të akuzës duhet të qëndrojnë në paraburgim.

Prokuroria ka thënë se një prej arsyeve se pse ata nuk mund të lirohen përkohësisht lidhet me “mundësinë e dënimit të disa prej tyre me burgim të përjetshëm”.

Jack Smith, kryeprokurori special, në parashtresa ka hedhur petendimet se “ekziston rreziku që ish-pjesëtarët e UÇK-së të arratisen dhe të kryejnë ndonjë krim.

Gjykata shprehet se janë përmbushur kriteret për mbajtjen në paraburgim. Këto kritere “nënvizojnë seriozitetin e rreziqeve të paraqitura”.

Në parashtresat e prokurorisë thuhet gjithashtu se “ekziston frika që të akuzuarit mund t’i detyrojnë dëshmitarët që të heshtin”.

Vendimi për vazhdimin e paraburgimit për Kadri Veselin, Sali Mustafën, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn është bërë publik ditë më parë.

Të mërkurën është publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës vendimi për Hashim Thaçin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore