Lajme

Gjykata në Minnesota vendosi, Derek Chauvin dënohet me 22 vite burg për vrasjen e George Floyd


Gjykata në Minnesota vendosi të premten e 25 qershorit të dënojë me 22 vite e gjashtë muaj burg për ish-oficerin e policisë Derek Chauvin, për vrasjen e George Floyd.

Chauvin u filmua teksa vuri gjurin mbi qafën e afro-amerikanit për më shumë se nëntë minuta.

Pamjet e publikuara nxitën protesta kundër racizmit dhe përdorimit të tepruar të forcës nga policia, në të gjithë botën. Mori akoma më hov lëvizja “Black Lives Matter”, e cila është nominuar për Çmimin Nobel për Paqen 2021.

Juria më 20 prill, e shpalli 45 vjeçarin fajtor për vrasje të paqëllimshme të shkallës së dytë, vrasje të shkallës së tretë dhe vrasje të shkallës së dytë pas një gjykimi që u pa gjerësisht si një pikë referimi në historinë e policisë amerikane.

Para se të shqiptohej dënimi, vëllezërit e Floyd i thanë gjykatës ankthin e tyre, nëna e Chauvin këmbënguli në pafajësinë e djalit të saj. Si dhe vetë Chauvin i shprehu ngushëllime familjes Floyd.

Gjykatësi i Qarkut Hennepin, Peter Cahill, tha se do të paraqitet një memorandum me 22 faqe mbi dënimin e Chauvin-it.

Seanca filloi me prokurorët që kërkuan nga disa anëtarë të familjes së Floyd që t’i drejtoheshin gjykatës. Vajza 7-vjeçare e Floyd, Gianna ishte e para, duke u shfaqur në një regjistrim video.

“Unë pyes për të gjithë kohën”, tha ajo në video ndërsa Chauvin u ul para gjykatësit të veshur me një kostum gri dhe kravatë, një maskë blu që i mbulonte hundën dhe gojën. E pyetur se çfarë do t’i thoshte nëse do ta shihte përsëri, ajo tha: “Do të më mungojë dhe të dua”.

Prokurorët kishin kërkuar një dënim me 30 vjet burg. Cahill vendosi në fillim të këtij muaji se prokurorët kanë krijuar baza për t’i dhënë Chauvin një dënim më të ashpër.

Mbrojtja kishte kërkuar provë dhe kishte kërkuar pa sukses një rigjykim përpara një ankese të pritur.

Çfarë ndodhi gjatë gjykimit?

Gjatë gjyqit të Chauvin-it, juria dëgjoi 45 dëshmitarë dhe pa disa video për orë të tëra.

Dëshmitë më të fuqishme erdhën nga dëshmitarët okularë.

Courteney Ross, e dashura e Floyd-it dhe Philonise Floyd, vëllai i tij më i vogël, gjithashtu u morën për të ndarë detaje për rrjedhojën e ngjarjes.

Vetë Chauvin zgjodhi të mos dëshmonte, duke thirrur të drejtën e tij për të mos e inkriminuar veten me përgjigjet e tij.

Cilat janë akuzat?

Vrasja e paqëllimtë është kur dikush shkakton pa dashje vdekjen e një personi tjetër.

Vrasja e shkallës së dytë është akti që çon në vdekjen e dikujt qëllimisht apo jo. Dënimi maksimal për këtë akuzë është 40 vjet burg.

Vrasje e shkallës së tretë do të thotë që një individ ka vepruar në një mënyrë që rrezikon jetën e një apo më shumë personave, duke përfunduar në vdekje.

Oficerët e policisë rrallëherë janë dënuar. Ka pasur raste që edhe nuk janë akuzuar fare. Prandaj, verdikti është parë gjerësisht si një tregues se si sistemi ligjor amerikan duhet të trajtojë raste të tilla në të ardhmen.

Çfarë ndodhi me George Floyd?

46-vjeçari bleu një paketë cigare në një dyqan në Minneapolis-in Jugor, mbrëmjen e 25 majit 2020.

Një ndihmës i dyqanit mendoi se ai përdori një kartëmonedhë të falsifikuar 20-dollarëshe dhe lajmëroi policinë pasi Floyd refuzoi të kthente cigaret mbrapsht.

Oficerët mbërritën dhe e prangosën, por kur ata u përpoqën ta fusnin në makinën e policisë ai bëri rezistencë dhe nga përleshja Floyd përfundoi me fytyrë në trotuar.

Chauvin, 44 vjeç, vendosi gjurin e tij të majtë midis kokës dhe qafës së Floyd-it dhe e mbajti atë për shtatë minuta e 46 sekonda, sipas prokurorëve.

Dy oficerë të tjerë e ndihmonin, ndërsa një tjetër ndalonte përfshirjen e dëshmitarëve në skenë.

Më shumë se 20 herë, Floyd përsëriti se nuk mund të merrte frymë. Ai u shpall i pajetë një orë më vonë në spital.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore