Lajme

Gjykata lë në fuqi lirimin e tre drejtuesve të Tepco-s për katastrofën


Një gjykatë në Japoni ka lënë në fuqi vendimin e pafajësisë për tre ish-ekzekutivët nga kompania që operon centralin bërthamor të shkatërruar në Fukushima Daiichi.

Kjo, duke i dhënë një goditje aktivistëve që kërkojnë që firma të marrë përgjegjësinë ligjore për katastrofën në mars 2011.

Gjykata e lartë e Tokyo-s liroi Tsunehisa Katsumata, ish-kryetarin e Tokyo Electric Power (Tepco), së bashku me ish-zëvendëspresidentët Ichiro Takekuro dhe Sakae Muto.

Referuar gjykatës, të pandehurit nuk mund të kishin parashikuar cunamin masiv që dëmtoi termocentralin dhe shkaktoi aksidentin më të keq bërthamor në botë që nga Çornobili në vitin 1986.

Tre burrat u paditën në vitin 2016 mbi dështimin për të marrë masa për të mbrojtur uzinën nga cunami, duke rezultuar në vdekjen e 44 personave.

Centrali Fukushima Daiichi, në bregun verilindor të Japonisë, u godit nga një cunami masiv i shkaktuar nga një tërmet me magnitudë 9.0, më i forti në historinë e regjistruar të Japonisë.

Më shumë se 18 mijë njerëz vdiqën në cunami, por askush nuk u regjistrua si i vrarë drejtpërdrejt nga shkrirja bërthamore, e cila shkaktoi rrjedhje masive të rrezatimit dhe detyroi evakuimin e më shumë se 150 mijë njerëzve që jetonin aty pranë.

Sakaq, vendimi i fundit ka konfirmuar një vendim të ngjashëm të dhënë nga gjykata e Tokyo-s në shtator 2019.

Gjyqi u fokusua në çështjen nëse ish-drejtuesit duhet të kishin parashikuar cunamin masiv dhe të kishin marrë masa paraprake shtesë, si ndërtimi i një muri më të madh, për të parandaluar katastrofën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore