Lajme

“Gjuha toksike” në fushatë, nën llupën e D4D


“Gjuha Toksike” e përdorur gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, do të monitorohet.

Allen Meta nga Demokracia në Veprim (D4D) e ka shpalosur projektin më të ri të kësaj organizate lidhur me monitorimin e gjuhës toksike dhe lajmet e rreme gjatë fushatës zgjedhore.

“Gjuha toksike dhe lajmet e rreme janë dominuese në Kosovë, andaj Instituti D4D ka filluar angazhimin për përmirësimin e këtij diskursi, ku janë përfshirë partitë politike, shoqëria civile, mediat dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me qëllim të krijimit të një kodi të mirësjelljes në rrjete sociale”.

“Ky projekt është si rrjedhojë e një vazhdimësie të një diskursi toksik i përdorur nga qytetarët, nga mbështetësit dhe nga kandidatët e ndryshëm të partive politike si dhe nga portalet e ndryshme që kanë ndikuar që kjo gjuha toksike të ketë një rritje të madhe në Kosovë”.

“Duke u bazuar në dy parë zgjedhjet e fundit ne si D4D e kemi parë që mund të ndikojmë në këtë pjesë. Në bashkëpunim me Qendrën për Dialog Humanitar e kemi filluar këtë projekt që është i pari në rajon dhe në Evropë. Për këtë e kemi përkrahjen e Komisionit Qendror Zgjedhor dhe të Komisionit të Pavarur për Media”,ka thënë Meta.

Kështu D4D ka mbajtur organizimin e “Ceremonisë së nënshkrimit të Deklaratës së mirësjelljes së partive politike, shoqërisë civile dhe mediave në rrjete sociale, duke filluar nga zgjedhjet lokale 2021”.

Ai ka deklaruar se do të fillojnë zbatimin e këtij projekti për pak ditë dhe se ka gjasa që projekti të futet në kuadër të Ligjit për KQZ-në.

Fushata zgjedhore në Kosovë do të filloj më 16 shtator dhe do të zgjasë për 30 ditë.

Pati kërkesa nga disa parti politike që kjo fushatë të shkurtohet, por asnjë prej tyre nuk e kishte zyrtarizuar atë në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Ani pse disa nga partitë opozitare ishin dakord për ta shkurtuar fushatën, kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se nuk ka mundësi të ndryshohet kjo periudhë, megjithëse sipas tij, asnjë subjekt politik nuk ka bërë ndonjë kërkesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore