Lajme

Shkurtimi i fushatës zgjedhore – kërkesë e vonuar


Ilustrim

Kërkesa nga partitë politike për shkurtimin e fushatës zgjedhore në pesë ditë është konsideruar e vonuar, sepse fushata zgjedhore do të fillojë të enjten e 16 shtatorit dhe do të zgjasë për 30 ditë.

Ani pse disa nga partitë opozitare ishin dakord për ta shkurtuar fushatën, kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se nuk ka mundësi të ndryshohet kjo periudhë, megjithëse sipas tij, asnjë subjekt politik nuk ka bërë ndonjë kërkesë.

Për analistin politik, Gazmir Raci, shpalosja e programit të partive politike për pesë ditë nuk do të ishte e mjaftueshme. Ai për Albanian Post ka thënë se tashmë është vonë një kërkesë e tillë.

“Proceduralisht është shumë e vonë kjo kërkesë. Nuk mund ta shpalosin për pesë ditë programin e tyre partitë politike. Ky pesë ditësh është edhe i rrezikshëm sepse ne e dimë që në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt të këtij viti ato nuk i kanë respektuar masat që ishin në fuqi. Ato nuk janë në gjendje t’i respektojnë masat vetvetiu”, ka thënë Raci për Albanian Post.

Analisti politik, Gazmir Raci

Sipas tij, ky proces “nuk mund të zgjidhet individualisht por me një konsensus”.

Ai ka thënë se zgjidhja më e mirë do të ishte që këto parti gjatë fushatave të tyre t’i respektojnë masat anti-COVID.

“Të vaksinohen të gjithë ata që do të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mos lejohet të punojnë ata që nuk janë të vaksinuar”, shtoi Raci.

Shkurtimi i fushatës zgjedhore përmes ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet dhe rezolutës, po konsiderohet i panevojshëm edhe nga Eugen Cakolli i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), organizatë që monitoron punën e Kuvendit të Kosovës.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

“Shkurtimi i kohëzgjatjes së fushatës është i panevojshëm, sepse problemi kryesor nuk është periudha e fushatës, por llojet e aktiviteteve që zhvillohen gjatë saj, e konkretisht tubimet publike me prani fizike të qytetarëve”, ka thënë ai për AP.

Megjithatë, Cakolli ka theksuar se Ligji për Zgjedhjet, në të cilin parashihet 30 ditë fushatë, nuk e përcakton llojin e fushatës, që domosdo të ketë takime publike me qytetarët.

Sipas tij, partitë politike, për shkak të situatës së rënduar me pandeminë, mund të dakordohen që të anulojnë komplet fushatën dhe kjo të bëhet përmes debateve televizive dhe rrjeteve sociale.

“Në të kundërtën, mjafton që Ministria e Shëndetësisë të mos i lehtësojë masat kufizuese, dhe organizimi eventual i tubimeve me shumë qytetarë do të përbëjë shkelje, me të cilat duhet të merren institucionet relevante”, është shprehur ai.

“Çfarëdo iniciative për ta ndryshuar tani ligjin për zgjedhjet e përgjithshme do të binte ndesh me parimin për mos ndryshimin e rregullave të lojës gjatë periudhës kur ne veçse jemi në proces zgjedhor”, shtoi Cakolli.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ishte pro shkurtimit të fushatës zgjedhore në vetëm pesë ditë.

“Duke e konsideruar të rëndësishme situatën me pandeminë dhe dështimin e qeverisë, ne jemi të gatshëm që fushatën me shkurtuar në pesë ditë të vetme duke ftuar edhe partitë politike që të ndërtojnë një kulturë konsensusi sepse jeta e qytetarit është më e rëndësishme”, pati theksuar Haziri në një prononcim për media.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri

Ndërkaq, periudha e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale mbetet 30 ditë.

Këtë e ka bërë të ditur Radoniqi, gjatë mbledhjes së 60-të të KQZ-së për vitin 2021.

“Nga 16 shtatori fillon fushata zgjedhore, për këto zgjedhje fushata është 30 ditë dhe kjo periudhë është ligjore dhe nuk mund të ndryshohet”, është deklaruar Radoniqi.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi

Ai, u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike të cilët do të garojnë në zgjedhjet lokale t’i përmbahen rregullave të KQZ-së, duke i respektuar edhe masat mbrojtëse të miratuara nga Qeveria e Kosovës kundër virusit COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore