Shqipëria

GJKKO-ja zgjat pezullimin e mjekut Edvin Prifti


Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zgjatur me tre muaj afatin e pezullimit nga ushtrimi i profesionit për mjekun kardiolog Edvin Prifti.

Kujtojmë që Prifti ishte pezulluar një vit nga detyra. Emri i Edvin Priftit u përmend në përgjimet e operacionit të arrestimit të ish-gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha.

Zgjatja e pezullimit ka ardhur pasi, pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Prifti u denoncua nga djali i një pacienteje, e cila ndërroi jetë disa kohë pasi u operua nga kardiologu.

Ndër të tjera, Prifti dyshohet se ka abuzuar me tenderat në qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, nё tё cilin priten tё dalin dhe emra tё tjerё nё rrethin e bluzave të bardha të përfshirë në veprimtari kriminale.

Më 13 shkurt të vitit të kaluar, GJKKO-ja caktoi masën e arrestit me burg për mjekun e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).

Ndërsa, më 2 mars, Apeli i GJKKO-së e liroi nga qelia. Për këtë të fundit, SPAK kërkoi nga Gjykata e Tiranës rikthimin në qeli të Priftit.

Më 30 shtator të vitit 2021, Apeli i GJKKO-së refuzoi kërkesën e mjekut për ndryshimin e  masës së sigurisë “Pezullim nga detyra”.

Shefi i kardiokirurgjisë Prifti u arrestua dhe, më pas, u la i lirë, ndërsa iu gjetën dhe iu sekuestruan 250 mijë euro dhe 160 milionё lekë të reja në shtëpi dhe zyrë.

Në një intervistë në një mediat e vendit, pak para se të arrestohej, Prifti deklaroi se paratë e gjetura ishin të ligjshme dhe shtoi se i përkisnin bashkëshortes sё tij të përfituara nga një kontratë shitblerje me të motrën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore