Shqipëria

Gjiknuri i përgjigjet Berishës: Na la në duar ‘kufomën energjetike’, reforma në energji një prej sukseseve të qeverisë ‘Rama’


“Gati nëntë vite pasi na la në duar ‘kufomën energjetike’, Sali Berisha tentoi sot të rikthehet në sytë e shqiptarëve si engjëll ndonëse gjithsecili prej nesh e di se maska e engjëllit nuk rri mbi fytyrën e varrmihësit të sektorit energjetik”.

Kështu e ka nisur kundërpërgjigjen ndaj ish-kryeministrit të Shqipërisë, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri.

Gjiknuri duke iu përgjigjur akuzave të Berishës, tha se ky i fundit do të mbahet mend “si arkitekti i kolapsit financiar me sektorin energjetik, me humbjet mbi 45%, zinxhirin e borxheve mes kompanive mbi 1 miliard dollarë dhe lakun e falimentit në qafë falë privatizimit të dështuar e korruptiv të kompanisë së shpërndarjes”.

Berisha më herët sot deklaroi se kriza energjetike në Shqipëri nuk lidhet me motin dhe luftën në Ukrainë.

“Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që ka katërfishuar çmimin e energjisë për bizneset dhe premton të rrisë në mënyrë absurde çmimin edhe për konsumatorët”, tha Berisha.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, vuri në dukje se reforma në energji është një prej sukseseve më të qëndrueshme të qeverisë “Rama”. Këtu ai përmendi dhe kohën ku ka shërbye si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, duke e quajtur si një nga rritjet e tij sektorin e energjisë.

“Në vetëm pesë vitet e para të qeverisjes sonë ne arritëm të përgjysmonim humbjet në energji, dyfishuam arkëtimet, rikthyem asetet e kompanisë në duart e shtetit shqiptar, i dhamë fund abuzimit ndaj qytetarëve në faturim, këputëm zinxhirin e borxheve mes kompanive dhe shëndoshëm financiarisht sektorin”, shkruan në median sociale Gjiknuri.

Duke numëruar sukseset e qeverisje “Rama” që prej vitit 2013, Gjiknuri në postimine  tij thekson se janë investuar mbi 600 milion euro nga kompanitë publike në prodhim, transmetim dhe shpërndarje.

“Kapacitetet gjeneruese? Mjafton që kushdo të hapë raportin e ERE-s për vitin 2013 dhe ta krahasojë me raportin e vitit 2021. Kishim 1,878 MW kapacitete të instaluara publike/private ndërsa sot kemi 2,605 MW mes të cilave edhe shumë kapacitete të energjisë së rinovueshme duke i shërbyer diversifikimit të burimeve energjetike”, vijon argumentin ai.

Ndërsa sa i përket gazit, Gjiknuri akuzoi Berishën se gjatë qeverisjes së tij nënshkroi një kontratë të pa favorshme ku i vetmi përfitim ishte kalimi i tubacionit të TAP-it në territorin shqiptar.

“Asnjë tarifë kalimi në favor të shtetit, asnjë sasi gazi të siguruar, asnjë kapacitet transmetimi të rezervuar”.

Ai shtoi se pas marrjes në dorë të pushtetit nga socialistët kompania ‘Albpetrol’ aplikoi menjëherë në vitin 2014 për të rezervuar kapacitetet e gazit.

“Nuk kishte një sasi të disponueshëm gazi sepse ajo ishte e rezervuar tashmë që në 2013-ën nga vende të tjera të cilat kishin ditur të negocionin më mirë se qeveria e Sali Berishës”.

Ndërkohë ai vijon postimin duke iu drejtuar Berishës se, “ne arritëm të siguronim nga TAP një paketë prej mbi 80 milionë euro përfitime shtesë mes të cilave rritjen e investimeve në komunitetet ku kalonte tubacioni, asistencën teknike në sektorin e gazit natyror dhe ofrimin e shërbimit të mirëmbajtjes së TAP në fazë operacionale nga pala shqiptare përmes Albgaz”.

“Së fundi, ndryshe nga sa gënjen Sali Berisha, Masterplani i Gazit për Shqipërinë dhe Identifikimi i Projekteve Potenciale kanë nisur të hartohen në vitin 2014 dhe kanë përfunduar në 2016-ën falë një financimi të Bashkimit Evropian prej 1.1 milion Euro përmes Bankës Evropiane të Investimeve. Ky dokument strategjik orienton të gjithë procesin dhe strategjinë për gazifikimin e Shqipërisë dhe kthimin në një nyje të rëndësishme energjetike”.

“Kriminalistika e shpjegon qartë fenomenin e rikthimit të autorit tek vendi i krimit ndaj është i kuptueshëm tundimi i Sali Berishës për të folur rreth sektorit energjetik”, përmbyllet postimi i Gjiknurit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore