Shqipëria

Gjak’marrja e një tjetër viktime


“Gjakmarrje e vrasje të kryer në bashkëpunim”.

Kjo ishte akuza që u ngrit ndaj gjashtë autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj.

Ekzekutuesi i Nikulajt, një shtetas portugez Ruben Saraiva dyshohet se është me origjinë nga vendet arabe.

Portugezi dhe katër shtetas të tjerë britanikë (Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman) janë pritur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, nga Edmond Haxhia.

Ky i fundit, sipas grupit hetimor, ishte porositësi, organizatori dhe financuesi i atentatit.

Haxhia ka qenë duke i pritur në një lokal disa metra larg aeroportit në një zonë jo me shumë ndriçim.

Por ka qenë një kamera sigurie që ka filmuar të gjithë grupin prej gjashtë personash.

Të gjithë, të larguar nga Shqipëria pas atentatit të suksesshëm dhe tashmë, janë tashmë në kërkim ndërkombëtar.

Saraiva, Bridgeman dhe njëri nga britanikët e tjerë u larguan drejt Greqisë dhe besohet se ndodhen ende në shtetin helen.

Policia e Shtetit deklaroi se vrasja ka ndodhur për gjakmarrje.

Kjo, pasi Edmond Haxhia është kushëri i parë i fisit Lekstakaj që është në hasmëri me fisin Nikulaj që prej vitit 1997.

Arsyeja? Një pretendim fillestar për 1 mijë lekë karburant, i cili çoi në një seri vrasjesh dhe plagosjesh mes palëve në vitet 1997-1999.

Zakon “i dhunshëm”

Shoqëria shqiptare nganjëherë portretizohet si e dhunshme, për shkak të këtyre normave të ashpra kulturore si “gjakmarrja”.

Ky zakon daton në shekullin e XV-të dhe njihet si Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Ndryshe nga nocioni “sy për sy”, gjakmarrja jodomosdoshmërisht ndalet në një akt të vetëm ndëshkimi.

Pra, ajo mund të bartet për breza derisa të mos kenë mbetur anëtarë meshkuj të familjes në të dyja anët.

Ky zakon, i lidhur me vlerat e nderit dhe të familjes, ishte projektuar për të parandaluar kaosin, jo për ta shkaktuar atë.

E gjithë kjo vjen si pasojë e ligjeve të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Ligje, të cilat zbatohen edhe sot.

Kanuni i Lekë Dukagjinit ose Kanuni i Malësisë, siç njihet ndryshe, është përmbledhja e ligjeve, rregullave, zakoneve shqiptare të Shqipërisë së Veriut në një libër.

Antropologjia e “gjakut”

“E drejta zakonore te shqiptarët e Veriut dhe, veçanërisht, norma e gjakmarrjes, si aparati ndëshkimor i standardizuar i saj, vazhdojnë të jenë edhe sot subjekte historike, sociologjike dhe antropologjike me interes”, shpjegon sociologu dhe ish-diplomati Fatos Tarifa.

Për studiuesin shqiptar, gjakmarrja ka një nivel abstraksioni nga një perspektivë sociologjike.

Pra, nga një formë sjelljeje sporadike dhe shoqërisht e parregulluar u shndërrua në një normë universalisht të detyrueshme, të pranueshme për shekuj me radhë, sqaron Tarifa.

“Nga të gjitha interpretimet që i janë bërë deri më sot gjakmarrjes në Shqipërinë e Veriut, ai që është më pak tërheqës për sociologët dhe antropologët është ‘teoria’ sipas së cilës gjakmarrja te malësorët e Shqipërisë së Veriut është një karakteristikë pothuajse e natyrshme e tyre”, shton ish-diplomati.

Sipas tij, dihet fare pak mbi origjinën e gjakmarrjes në Shqipërinë e Veriut për të qenë në gjendje që të vlerësohen “teoritë” e autorëve të ndryshëm.

Aspekti ligjor

Në vitin 2001, nënvizon juristja Ardita Sokoli për AP-në, kodi penal parashikonte Vrasjen për Gjakmarrje në Nenin 78 si vrasje me paramendim.

Më konkretisht, cilëson ajo, “Vrasja e kryer për interes, hakmarrje a gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm”.

Sipas juristes, në vitin 2013 Ligjvënësi e ashpërsoi masën e dënimit të parashikuar për këtë lloj krimi me pasoja të rënda.

Në Ligjin nr 144/2013, u shtua neni 78/a me emërtesën Vrasje për Gjakmarrje.

Brenda tij parashikohet se “Vrasja me dashje për Gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se 30 vjet ose me burgim të përjetshëm”.

Nga viti 2005 deri në vitin 2015 janë dënuar 135 persona, ndërsa të proceduar janë 129.

Gratë janë gjithashtu të përfshira si autore të krimit “Vrasje për Gjakmarrje”.

Janë shtatë gra të dënuara për këtë vepër penale. Kjo, kundrejt 128 të dënuarve meshkuj.

Megjithëse Kodi parashikon dënime të ashpra për nenet 78 paragrafi i dytë dhe nenin 78 pika a, gjatë këtyre viteve janë regjistruar vetëm shtatë raste më burgim të përjetshëm.

Sipas një publikimi nga institucioni i Avokatit të Popullit, gjakmarrja mund të luftohet me efektivitet “vetëm në qoftë se strukturat shtetërore, shkollat, komunitetet fetare, media dhe shoqëria civile do të punojnë në një zë sipas një strategjie të përbashkët”.

Panoramë e për’gjakur

Ndërmjet viteve 1991 dhe 2008, shpjegon Majk Mila, përfaqësues nga organizata joqeveritare me seli në Shkodër, “Drejtësi dhe Paqe”, janë të paktën 9 mijë e 500 të vrarë si pasojë e gjakmarrjes.

Sipas një raporti të OJQ-së, të dhënat tregojnë se në rang vendi janë ngërthyer 704 familje në “grindje gjaku”.

Prej tyre, 113 janë shpërngulur jashtë vendit.

Numri i lartë i familjeve në zonat ku gjakmarrja nuk është kulturë e ngulitur – si Tirana dhe Durrësi – mund të shpjegohet me shpërnguljen e këtyre familjeve.

Në Tiranë, nënvizon OJQ-ja, janë 68 familje në grindje gjaku, pesë prej të cilave janë të izoluara.

Ndërsa në Durrës, janë 86 familje në grindje gjaku, tetë prej të cilave jetojnë të ngujuar.

Situata e përditësuar

Në Progres-Raportin e vitit 2018, Bashkimi Evropian vuri në dukje se “rezoluta dhe rekomandimet për gjakmarrjen kërkojnë ende vëmendje”.

Ndërkohë ka pasur një rritje të rasteve të regjistruara si vrasje për gjakmarrje nga viti 2017 deri në vitin 2020.

Nga pesë raste të regjistruara në vitin 2017, numri u rrit në shtatë në vitin 2020, sipas vjetarëve statistikorë të Ministrisë së Drejtësisë.

Vetëm një u dërgua në gjykatë, nga shtatë rastet e regjistruara në vitin 2020.

Ky i fundit, nuk u shpall fajtor.

Në mënyrë të ngjashme, vetëm një nga katër rastet e regjistruara si “nxitje për gjakmarrje” në vitin 2020 është dërguar në gjykatë.

Numri më i lartë i procedimeve në një vit ishte 11 raste në vitin 2018.

Gjakmarrja mbetet ende një fenomen në Shqipëri, ndonëse kufizohet kryesisht në veri të vendit.

Pasazhet e këtij artikulli janë marrë nga ky shkrim i datës 26 janar 2022:

Të rritesh me frymën e hak(gjak)marrjes

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore