Shqipëria

Të rritesh me frymën e hak(gjak)marrjes


Një vrasje mesditën e 24 janarit iu shtua kronikës së zezë në Shqipëri.

Këtë herë ngjarja që ndodhi në fshatin Manati, në Qarkun e Lezhës, kishte të bënte me motivin e hak(gjak)marrjes.

Autori – një minoren (17 vjeç), i mbrujtur me frymën e hakut për vdekjen e të atit të vrarë përpara 13 vitesh, kur ai ishte fëmijë.

“Një urrejtje” që Florian Pervathin e kishte shoqëruar që në moshën 4-vjeçare. Adoleshenti la të vdekur në vend vëllain e vrasësit të babait të tij, një 65-vjeçar.

Përtej aktit

Lajmi “mori dhen” edhe në mediat e huaja, të cilat e pasqyruan vrasjen si një plagë të shoqërisë shqiptare, nga e cila “kanë mbetur të vdekur mijëra shqiptarë”.

Shoqëria shqiptare nganjëherë portretizohet si e dhunshme, për shkak të këtyre normave të ashpra kulturore si “gjakmarrja”.

Ky zakon daton në shekullin e XV-të dhe njihet si Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Ndryshe nga nocioni “sy për sy”, gjakmarrja jodomosdoshmërisht ndalet në një akt të vetëm ndëshkimi.

Pra, ajo mund të bartet për breza derisa të mos kenë mbetur anëtarë meshkuj të familjes në të dyja anët.

Ky zakon, i lidhur me vlerat e nderit dhe të familjes, ishte projektuar për të parandaluar kaosin, jo për ta shkaktuar atë.

E gjithë kjo vjen si pasojë e ligjeve të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Ligje, të cilat zbatohen edhe sot.

Kanuni i Lekë Dukagjinit ose Kanuni i Malësisë, siç njihet ndryshe, është përmbledhja e ligjeve, rregullave, zakoneve shqiptare të Shqipërisë së Veriut në një libër.

“Akt heroik”

Fill pas publikimit të ngjarjes, në mediat sociale “Instagram” apo “Facebook”, gëluan zërat e të rinjve shqiptarë, të cilët ishin të ndarë në dy kampe.

Disa ia hidhnin fajin shtetin shqiptar, si të paaftë për të reaguar në momentin e duhur, kur Floriani, së bashku me të motrën dhe dy vëllezërit mbetën jetim – nëna e tyre humbi jetën në po të njëjtën ditë me të shoqin, pasi u vetëvra duke pirë helm.

Pjesa tjetër e mbështesin aktin e kobshëm, duke “brohoritur”: “Bravo!” “Hallall qumështi i nënës!” “Të lumtë dora!” etj.

Antropologjia e “gjakut”

“E drejta zakonore te shqiptarët e Veriut dhe, veçanërisht, norma e gjakmarrjes, si aparati ndëshkimor i standardizuar i saj, vazhdojnë të jenë edhe sot subjekte historike, sociologjike dhe antropologjike me interes”, shpjegon për Albanian Post (AP) sociologu dhe ish-diplomati Fatos Tarifa.

Për studiuesin shqiptar, gjakmarrja ka një nivel abstraksioni nga një perspektivë sociologjike.

Pra, nga një formë sjelljeje sporadike dhe shoqërisht e parregulluar u shndërrua në një normë universalisht të detyrueshme, të pranueshme për shekuj me radhë, sqaron Tarifa.

“Nga të gjitha interpretimet që i janë bërë deri më sot gjakmarrjes në Shqipërinë e Veriut, ai që është më pak tërheqës për sociologët dhe antropologët është ‘teoria’ sipas së cilës gjakmarrja te malësorët e Shqipërisë së Veriut është një karakteristikë pothuajse e natyrshme e tyre”, shton ish-diplomati.

Sipas tij, dihet fare pak mbi origjinën e gjakmarrjes në Shqipërinë e Veriut për të qenë në gjendje që të vlerësohen “teoritë” e autorëve të ndryshëm.

Aspekti ligjor

Në vitin 2001, nënvizon juristja Ardita Sokoli për AP-në, kodi penal parashikonte Vrasjen për Gjakmarrje në Nenin 78 si vrasje me paramendim.

Më konkretisht, cilëson ajo, “Vrasja e kryer për interes, hakmarrje a gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm”.

Sipas juristes, në vitin 2013 Ligjvënësi e ashpërsoi masën e dënimit të parashikuar për këtë lloj krimi me pasoja të rënda.

Në Ligjin nr 144/2013, u shtua neni 78/a me emërtesën Vrasje për Gjakmarrje.

Brenda tij parashikohet se “Vrasja me dashje për Gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se 30 vjet ose me burgim të përjetshëm”.

Nga viti 2005 deri në vitin 2015 janë dënuar 135 persona, ndërsa të proceduar janë 129.

Gratë janë gjithashtu të përfshira si autore të krimit “Vrasje për Gjakmarrje”.

Janë shtatë gra të dënuara për këtë vepër penale. Kjo, kundrejt 128 të dënuarve meshkuj.

Megjithëse Kodi parashikon dënime të ashpra për nenet 78 paragrafi i dytë dhe nenin 78 pika a, gjatë këtyre viteve janë regjistruar vetëm shtatë raste më burgim të përjetshëm.

Sipas një publikimi nga institucioni i Avokatit të Popullit, gjakmarrja mund të luftohet me efektivitet “vetëm në qoftë se strukturat shtetërore, shkollat, komunitetet fetare, media dhe shoqëria civile do të punojnë në një zë sipas një strategjie të përbashkët”.

Panoramë e për’gjakur

Ndërmjet viteve 1991 dhe 2008, shpjegon Majk Mila, përfaqësues nga organizata joqeveritare me seli në Shkodër, “Drejtësi dhe Paqe”, janë të paktën 9 mijë e 500 të vrarë si pasojë e gjakmarrjes.

Sipas një raporti të OJQ-së, të dhënat tregojnë se në rang vendi janë ngërthyer 704 familje në “grindje gjaku”.

Prej tyre, 113 janë shpërngulur jashtë vendit.

Numri i lartë i familjeve në zonat ku gjakmarrja nuk është kulturë e ngulitur – si Tirana dhe Durrësi – mund të shpjegohet me shpërnguljen e këtyre familjeve.

Në Tiranë, nënvizon OJQ-ja, janë 68 familje në grindje gjaku, pesë prej të cilave janë të izoluara.

Ndërsa në Durrës, janë 86 familje në grindje gjaku, tetë prej të cilave jetojnë të ngujuar.

Situata e përditësuar

Në Progres-Raportin e vitit 2018, Bashkimi Evropian vuri në dukje se “rezoluta dhe rekomandimet për gjakmarrjen kërkojnë ende vëmendje”.

Ndërkohë ka pasur një rritje të rasteve të regjistruara si vrasje për gjakmarrje nga viti 2017 deri në vitin 2020.

Nga pesë raste të regjistruara në vitin 2017, numri u rrit në shtatë në vitin 2020, sipas vjetarëve statistikorë të Ministrisë së Drejtësisë.

Vetëm një u dërgua në gjykatë, nga shtatë rastet e regjistruara në vitin 2020.

Ky i fundit, nuk u shpall fajtor.

Në mënyrë të ngjashme, vetëm një nga katër rastet e regjistruara si “nxitje për gjakmarrje” në vitin 2020 është dërguar në gjykatë.

Numri më i lartë i procedimeve në një vit ishte 11 raste në vitin 2018.

Gjakmarrja mbetet ende një fenomen në Shqipëri, ndonëse kufizohet kryesisht në veri të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore