Shqipëria

Autoritetet po përgatitin letër-porositë për 6 autorët e vrasjes së Nikulajt


Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi se sapo të përgatiten, do të nisen me urgjencë letër-porositë për gjashtë autorët e dyshuar të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Lezhë dhe të nisin puna me homologët e vendeve të tjera.

“Unë nuk di se ka raste të refuzimit të ekstradimit, në të gjitha rastet që ka pasur kërkesa ne i kemi realizuar. Lidhur me ngjarjen e Lezhës jemi ne bashkëpunim te ngushtë me prokurorinë ne momentin e parë qe do vijnë letër-porositë do i procedojmë menjëherë dhe do komunikojmë me homologet e huaj për shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje të shëmtuar”, bëri të ditur zyrtari shqiptar.

Gjykata e Lezhës caktoi më herët masën e sigurisë “arrest në burg” e dhënë në mungesë ndaj gjashtë autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj.

Akuzat e ngritura janë vrasje për gjakmarrje e vrasje të kryer në bashkëpunim.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “Klan News”.

Sipas raportimeve, bëhet me dije se ekzekutuesi i Nikulajt, portugezi Ruben Saraiva dyshohet që të jetë me origjinë nga vendet arabe.

Më tej transmetuesi shqiptar vëren se njëri nga britanikët, pikërisht Steven Hunt që ka patur rolin e vëzhguesit të afërt, mbërriti në Shqipëri në muajin shkurt.

Ai qëndroi dy ditë dhe u largua përsëri, duke u kthyer sërish bashkë me pjesën tjetër të grupit po në muajin shkurt.

Portugezi dhe katër shtetasit britanikë janë pritur në aeroportin e Rinasit nga Edmond Haxhia, që sipas grupit hetimor, është porositësi, organizatori dhe financuesi i atentatit.

Edmond Haxhia ka qenë duke i pritur në një lokal disa metra larg aeroportit në një zonë jo me shumë ndriçim.

Por ka qenë një kamera sigurie që i ka filmuar të gjithë grupin prej gjashtë personash.

Të gjithë, të larguar nga Shqipëria pas atentatit të suksesshëm dhe tashmë, në kërkim ndërkombëtar.

Portugezi Ruben Saraiva, gruaja britanike Harriet Bridgeman dhe njëri nga britanikët e tjerë u larguan drejt Greqisë dhe besohet se ndodhen ende në shtetin helen.

Britaniku Harry Simson rezulton që të jetë i dënuar disa herë në Mbretërinë e Bashkuar nën akuzat për agresion dhe drogë.

Policia e Shtetit ka deklaruar se vrasja ka ndodhur për gjakmarrje. Edmond Haxhia është kushëri i parë i fisit Lekstakaj që është në hasmëri me fisin Nikulaj që prej vitit 1997.

Zbardhja totale

Autoritetet shqiptare zbardhën më herët tërësisht ngjarjen e rëndë të 19 prillit 2023.

Kohë kur sipërmarrësi i njohur në zonën e Lezhës, Ardian Nikulaj, u eliminua fizikisht me shtatë plumba në ambientet e lokalit të tij, në mes të ditës.

Arsyeja? Një pretendim fillestar për 1 mijë lekë karburant, i cili çoi në një seri vrasjesh dhe plagosjesh mes palëve në vitet 1997-1999.

Siç ka theksuar disa herë gjatë një konference për shtyp ndërkaq Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, gjakmarrja ka qenë arsyeja e kësaj ngjarjeje.

Saraiva, i cili e kreu atentatin sipas versionit zyrtar të Policisë, u largua nga vendi përmes doganës së Kapshticës.

Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman janë katër britanikët që kanë ndihmuar gjithashtu për të kryer vrasjen.

Nikulaj u vra me armë zjarri në bar-restorant “Coral” në pedonalen e qytetit bregdetar, që ka qenë në pronësi të viktimës.

Një person hyri në ambientet e barit me skafandër motori në kokë dhe më pas qëlloi shtatë herë 50-vjeçarin.

Siç është zbuluar të premten e 21 prillit, e gjithë familja e Ardian Nikulajt është ndjekur dhe monitoruar disa ditë përpara vrasjes së biznesmenit të njohur në zonën e Shëngjinit në Lezhë.

Rreth dy javë përpara vrasjes, një mjet i llojit “Hummer” është konstatuar në hyrje të pedonales së Shëngjinit.

Prej atij mjeti, dy persona kanë dalë, të cilët kanë qëndruar për një kohë të gjatë në vendin e njohur si “Lapidari” dhe më pas janë larguar.

Nga ana tjetër, tre ditë përpara vrasjes së Nikulajt, një mjet i tipit “Golf” është konstatuar nga vëllai i viktimës, duke hamendësuar se ai po ndiqej.

Nikulaj ka pasur në pronësi disa hotele në zonën e Shëngjinit dhe Ranës së Hedhun.

Ai garoi si kandidat për deputet nën siglën e PSD-ës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 ku mori 97 vota dhe në formularin e dekriminalizimit që ka dërguar në KQZ asokohe, ka pohuar se është dënuar me 4 muaj më 24 nëntor të vitit 2003 dhe më 1 dhjetor 2006 për armëmbajtje pa leje.

Gjithashtu në formular rezulton se Nikulaj ka mbiemrin e ndryshuar.

Në këto zgjedhje ndërkaq, ai ishte renditur i 23-ti në listën e PSD-së për Këshillin Bashkiak të Lezhës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore