Lajme

Gërvalla kërkon përkrahjen nga Portugalia për agjendën evropiane


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë takimit me sekretarin e shtetit të Portugalisë për Punë të Jashtme dhe Bashkëpunim, Franciso Andre.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në vazhdën e takimeve me liderët botëror gjatë qëndrimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është takuar me sekretarin e shtetit të Portugalisë për Punë të Jashtme dhe Bashkëpunim, Franciso Andre.

Kryediplomatja Gërvalla, ka kërkuar përkrahjen e Portugalisë sa i përket proceseve që lidhen me agjendën evropiane dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

“Konkretisht kanë vlerësuar se mund të avancohen raportet ekonomike por edhe bashkëpunimi në fushën e arsimit e kulturës si dhe shkëmbimet e përvojave përmes programeve për të rinj”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Gjatë këtij takimi kanë diskutuar edhe mbi zhvillimet rajonale si dhe procesin e integrimit evropian.

Kurse, diplomati portugez ka ripërsëritur qëndrimin përkrahës të shtetit të tij ndaj Kosovës, integrimit të saj në BE, e me theks të veçantë ka përmendur përkrahjen për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Po ashtu, gjatë ditës së mërkurë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla kanë takuar sekretarin e Përgjithshëm të NATO -s, Jens Stoltenberg, ndërsa temë diskutimi kanë pasur marrëveshjet dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së diel ka udhëtuar zyrtarisht në SHBA e shoqëruar nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

Osmani në margjinat e sesionit të 76-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, do të ketë takime me delegacione të disa shteteve pjesëmarrëse, me presidentë, kryeministra e ministra të jashtme.

“Presidentja Osmani, po ashtu do të ketë takim edhe me mërgatën shqiptare në Amerikë, si dhe me figura politike që kanë mbështetur rrugën e Kosovës për pavarësi dhe shtetndërtim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore