Lajme

Gërvalla intervistë për agjencinë spanjolle te lajmeve: Me Spanjën na bashkon kultura, vlerat dhe historia që nga Skënderbeu


Donika Gervalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, në një intervistë për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve Spanjolle EFE, në prag të 15 vjetorit të pavarësisë, ka deklaruar se përkundër që Spanja nuk e njeh Kosovën, ky shtet nuk shihet si “shtet armik” mes kosovarësh.

“Spanja nuk shihet në Kosovë si vend armik”, deklaroi Gërvalla duke shtuar se përtej kësaj, kosovarët e spanjollët ndajnë vlera e kulturë të përbashkët që daton shekuj më parë.

“Me Spanjën na bashkon kultura e përbashkët dhe vlerat e përbashkëta evropiane, historia na bashkon që nga koha e Skënderbeut (heroi kombëtar shqiptar që bashkëpunoi me Alfonso V, mbretin e Aragonit dhe Napolit)”, tha Gërvalla.

Prandaj, ajo shpreson se “edhe këtë hap të fundit mund ta bëjmë së bashku sa më shpejt”.

Spanja, një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh Kosovën, është vend mjaft i popullarizuar në Kosovë, ka deklaruar Gërvalla për EFE, duke përmendur edhe kontributin e ushtarëve spanjollë që kishin ardhur si pjesë e KFOR-it pas luftës.

Gërvalla ka theksuar edhe popullaritetin e Spanjës në përdorimin e gjerë të gjuhës, numrin e tifozëve të ekipeve spanjolle të futbollit dhe përhapjen e muzikës dhe letërsisë spanjolle.

“Kosova është e hapur për bashkëpunim me Spanjën, të cilën ne nuk e gjykojmë nga fakti se ajo na njeh zyrtarisht apo jo”, tha shefja e diplomacisë kosovare për EFE.

Intervista e plotë në spanjisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore