Lajme

Gërvalla e njofton homologun e saj gjerman për veprimet destabilizuese të Serbisë


Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, është takuar me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth.

Sipas njoftimit për media të MPJ-së, biseda u zhvillua rreth marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Gjermanisë si dhe koordinimin për të ardhmen dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Gërvalla e njoftoi Kryetarin Roth për zhvillimet politike në Kosovë, progresin e arritur në sundim të ligjit, zhvillim të demokracisë dhe sigurinë në Kosovë dhe Ballkan, me theks të veçantë për veprimet destabilizuese të Serbisë dhe nevojën e ndërmarrjes së sanksioneve kundër saj”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim theksohet se bashkëpunimi në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare ishte temë tjetër e rëndësishme e takimit me kryetarin Roth dhe anëtarët e komisionit për Punë të Jashtme të Gjermanisë.

“Gërvalla falënderoi Kryetarin Roth personalisht, por edhe komisionin e drejtuar prej tij për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe përpjekjet e pandalura për gjetjen e rrugës së duhur për zgjidhjen e sfidave të sigurisë në Ballkanin Perëndimor”.

Kryediplomatja kosovare gjatë qëndrimit të saj në Gjermani është takuar këtë të enjte edhe me kryetaren e Komisionit për Mbrojtje të Gjermanisë, Marie-Agnes Strack-Zimmermann dhe anëtarë të këtij komisioni.

Ndërsa një ditë më parë, ajo është takuar edhe me ministrin e Mbrojtjes Boris Pistorious, me të cilin ka diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore