Lajme

Gërvalla diskuton me ambasadorët e KiE për anëtarësimin e Kosovës


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, i ka mirëpritur për mëngjes ambasadorët e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës (KiE).

Këtë e ka bërë të ditur MPJD, përmes njoftimit për media në të cilin është thënë se ka pasur shkëmbime të dobishme.

“Një mëngjes shumë produktiv. Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla shtroi një mëngjes për ambasadorët e shteteve anëtare të KiE. Pati shkëmbime të dobishme”.

Ndërsa është thënë se Kosova i ka plotësuar kriteret që të jetë shtete anëtare e Këshillit të Evropës.

“Të qenit i hapur dhe i guximshëm është e para. Si një vend i vërtetë evropian dhe demokratik, Republika e Kosovës meriton të jetë anëtarja e radhës me të drejta të plota në KiE”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Këshilli i Evropës ka konfirmuar se aplikimi i qeverisë së Kosovës, përmes kryediplomates Donika Gërvalla, është marrë të enjten e 12 majit.

“Mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është marrë”, shkruan fillimisht Dushan Vojnoviç për Albanian Post.

Drejtori i Komunikimeve për Ballkanin Perëndimor në KiE theksoi se aplikimi po i transmetohet Komitetit të Ministrave.

Kjo, në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës.

Njoftimin se Kosova zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin në Këshillin e Evropës fillimisht e dha ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore