Lajme

Gazetari gjerman: Kurti ka veç një kusht për ta pranuar propozimin franko-gjerman, ua ka thënë ndërkombëtarëve


Gazetari gjerman i Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se sipas burimeve të tij, kryeministri Albin Kurti, në takimin e fundit me diplomatët evropiano-amerikanë ka vënë një kusht për ta pranuar propozimin franko-gjerman për marrëveshje me Serbinë.

“Më është thënë se Kurti ka vënë një kusht: Për ta pranuar propozimin e perëndimorëve për zgjidhje atij i duhet garanci se 5-shja e shteteve mosnjohes brenda Bashkimit Evropian do ta njohin Kosovën. Kurti këtë e ka kërkuar të jetë pjesë e shkruar e Marrëveshjes”, shkruan Martens.

Por, sipas tij, “kjo qartësisht është një kërkesë që as BE-ja, as Gjermania e Franca nuk mund ta përmbushin, pasi ata s’mund të flasin (aq më pak të garantojnë) në emër të Spanjës, Rumanisë, Greqisë, Sllovakisë dhe Qipros”.

Gazetari vazhdon cicërimën duke thënë se “të gjitha këto vende kanë arsyet e tyre të brendshme që nuk e pranojnë Kosovën”.

Ai, në një seri twitt-ash, ka shkruar edhe se “perëndimi po e identifikon Kurtin si problemin e vërtetë”.

Për këtë arsye, “situata për Vuçiç-in është më e lehtë”.

“Ai mund të thotë se Kurti është për t’u fajësuar për mungesën e një zgjidhje, derisa vetë pajtohet në parim me propozimin e perëndimorëve”, shkruan Martens.

Por, ai shton se as vetë BE-ja nuk është se ka ide kreative për ta zgjidhur problemin dhe “Kurti e Vuçiç e dinë”.

Pra, në mendjet e tyre, analizon Martens, “pse duhet ta rrezikojnë ata kapitalin e tyre politik?”.

“Për një biletë në askund? Kosova s’po merr ndihmë nga perëndimi as për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Pse do të duhej të prisnin më shumë mbështetje në rrugën e tyre derjt Bashkimit Evropian?”.

Martens kohë më parë kishte bërë një intervistë me Kurtin, e cila bëri zhurmë të madhe në Kosovë, meqë aty Kurti kishte thënë se ka ndryshuar vendimin e tij për Veriun pasi “ambasadori amerikan më tregoi disa informacione që unë nuk i kisha”.

Më pas Martens e kishte hequr atë pjesë nga intervista.

I pyetur nga Albanian Post për këtë pjesë të larguar, ai kishte thënë se s’ka pasur presion nga Qeveria e Kosovës për ta bërë, por “ashtu e kishte parë të arsyeshme”.

“Pse e hoqa një pjesë të intervistës me Albin Kurtin” – flet për Albanian Post Michael Martens, gazetari i FAZ

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore