Lajme

“Gati për Shqipërinë”, Muzhaqi: Kanë aplikuar 701 të rinj


Zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Bora Muzhaqi, në një konferencë për mediat ka sqaruar detaje nga platforma “Gati për Shqipërinë”.

Kjo nismë, e iniciuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka si synim të bëjë pjesë të administratës të rinjtë e arsimuar brenda dhe jashtë vendit.

Platforma në internet është në dispozicion të të gjithë atyre që kanë studiuar me rezultate të larta, jashtë shtetit apo në Shqipëri.

Ata mund të kontaktojnë direkt me kryeministrin apo me anëtarë të tjerë të kabinetit të tij për të kontribuar me opinionet, idetë, projektet apo edhe gatishmërinë e tyre që të përfshihen drejtpërdrejt në punët e qeverisë.

Muzhaqi, e cila është koordinatore e platformës, tha se 701 të rinj nga fusha të ndryshme kanë aplikuar deri më tani.

Ajo ka theksuar se kryeson fusha ekonomike, jurisprudenca dhe teknologjia e informacionit.

Sipas Muzhaqit, 51% e aplikuesve jetojnë jashtë Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër brenda Shqipërisë.

“Kemi realizuar takimet e para me 70% të aplikuesve. Po planifikojmë hapësirat e përfshirjes për të siguruar konceptin e nëpunësit digjital”, tha zëvendësministrja.

Ndërkohë Rama e ka cilësuar numrin e lartë të aplikimeve si besim ndaj tij.

Sipas tij, ky është një interesim shumë më i lartë nga çfarë pritej. Ndër të tjera, kryeministri tha se “nuk ka për të zhgënjyer asnjë nga kandidatët”.

Në shifra, çdo ditë, janë rreth 20-25 takime sipas kryeministrit.

Portali “Gati për Shqipërinë” mori jetë zyrtarisht më 19 maj, si nismë e Kryeministrisë.

Kategoritë kryesore janë tre: Ajo e kontributorëve të gatshëm nga jashtë vendit. Ajo e kontributorëve të gatshëm të kthehen nga jashtë vendit dhe ajo e kontributorëve të gatshëm brenda vendit.

Të tria kategoritë, janë të gatshme të angazhohen për programin e reformave në mandatin e tretë qeverisës të kryeministrit Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore