Lajme

Futet në rend dite ratifikimi i marrëveshjes me MCC-në


Ilustrim

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të enjten e 28 korrikut është futur në rend dite votimi për ratifikimin e Marrëveshjes që Kosova ka nënshkruar me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit në fushën e energjisë.

Mocioni i propozuar nga Komisioni për Ekonomi ka marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve të pranishëm

Ndryshe me një ceremoni solemne është nënshkruar marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit në fushën e energjetikës.

Marrëveshjen në fjalë në emër të Kosovës e ka nënshkruar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ndërsa kryeshefja ekzekutive e MCC-së, Alice Albright ka qenë nënshkruesja në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve

Kosova me këtë marrëveshje pritet të përfitojë një grant prej 202 milionë dollarësh në fushën e energjetikës.

Para nënshkrimit të marrëveshjes kryeshefja e MCC-së, Albright, në fjalimin e saj ka bërë të ditur se marrëveshja në fjalë do të sjellë dobi për miliona njerëz.

“SHBA ka lidhje të thellë me Kosovën. Shumë kanë punuar për këtë marrëveshje, dua të falënderoj ekipin. Që nga viti 2004, MCC ka punuar me shumë vende, duke investuar miliarda dollarë për shumë programe e shtete”, ka thënë ajo.

Pas Albright, fjalim ka mbajtur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një prej sallave të Kongresit Amerikan, ku nga këtu ka deklaruar se Kosova është krenare që e ka SHBA-në pranë saj.

Për Osmanin investimi në fjalë, do të jetë trashëgimia më e mirë për gjeneratat e ardhshme të Kosovës

Osmani, tutje ka shtuar se këto investime, do të jenë trashëgimia më e mirë e gjeneratave të ardhshme të Kosovës.

“SHBA po na ndihmon edhe më tutje për ekonomi me këtë marrëveshje, duke qëndruar pranë nesh dhe për të parë këtë sukses të veçantë, që ne të arrijmë edhe më shumë gjatë viteve në vazhdim. Duke parë sfidat e tranzicionit të energjisë, duke formuar vende pune, por edhe siguria e energjisë është një çështje e rëndësishme”, ka thënë Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore