Sport

FSHF takohet me kapitenët dhe trajnerët e klubeve të Superiores dhe të të Parës për VAR-in


Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar më herët se duke nisur nga ky edicion 2021/22 ndeshjet e Kategorisë Superiore do të luhen duke përdorur sistemin VAR.

Prej më shumë se dy vitesh FSHF ka punuar për ta implementuar këtë sistem edhe në Shqipëri, me qëllim rritjen e besueshmërisë dhe cilësisë së futbollit shqiptar, duke minimizuar gabimet e arbitrave.

Deri tani janë zhvilluar disa ndeshje miqësore duke përdorur VAR-in, ndërsa së fundmi, sistemi VAR u përdor edhe në finalen e Superkupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Teutës.

Ditën e mërkurë, duke qënë shumë afër nisjes së sezonit të ri, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” shqiptar, Departamenti i Arbitrimit në bashkëpunim me Departamentin e Garave në FSHF, zhvilloi një takim me trajnerët dhe kapitenët e klubeve të Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë.

Fokusi kryesor i këtij takimi ishte të shpjegohej për përfaqësuesit e klubeve se si funksionon sistemi VAR.

Shefi i Departamentit të Arbitrimit, Sokol Jareci, kishte përgatitur edhe disa video të shkëputura nga ndeshje të kompeticioneve europiane, duke parë rastet se kur duhet të ndërhyjë ose jo VAR-i.

Sezoni i ri i Kategorisë Superiore do të nisë më 11 shtator, me 180 ndeshje të këtij kompeticioni që do të luhen me sistemin VAR, teksa ky sistem do të përdoret edhe në sfidat e Kupës së Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore