Lajme

Freedom House: Liria e fjalës dhe e shprehjes është disi e kufizuar në Kosovë


Ilustrim

Raporti i “Freedom House” për vitin 2023 ka vlerësuar se në Kosovë liria e përgjithshme e fjalës dhe e shprehjes është disi e kufizuar.

Në raportin e organizatës ndërkombëtare i titulluar “Nations in Transit 2024” theksohet se në Kosovë gjatë vitit 2023 në fushën e medias ka pasur incidente dhe tendenca shqetësuese.

“Gazetarët dhe mediat hasën në një sërë pengesash të tjera, nga shqetësimet e sigurisë në Veriun e tensionuar të Kosovës deri te fushatat e shpeshta të shpifjeve nga qeveria, sulmet nga bizneset dhe kërcënimet e përsëritura në mediat sociale”, thekson raporti.

Në raport ndër të tjera përmendet votimi në Kuvend të Luljeta Aliut për anëtare në Këshillin e Pavarur për Media, ku Freedom House e cilëson Aliun si një “mbështetëse të hapur të partisë në pushtet dhe në linjë me politikat e saj”.

Raporti Freedom House ka përmendur si fakt shqetësuese edhe pezullimin e licencës së punës të mediumit Klan Kosova.

“Ky veprim dërgoi një mesazh të frikshëm për mediat në Kosovë, duke bërë që Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (EPCMF) të paralajmërojë mediat e tjera në vend se mund të përballen me të njëjtat kufizime”.

Pavarësia e Medias në Kosovë është vlerësuar me 3.25 pikë – njëjtë si në vitin e kaluar – në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e pavarësisë së medias.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore