Shqipëria

Fluks vizitorësh nga Kosova në Shqipëri, rritje e rasteve me COVID-19


Javët e fundit në Kosovë është regjistruar një numër i lartë i infektimeve me COVID-19, si shkak i variantit Delta.

Të dielën e 22 gushtit, në vend u regjistruan rreth 1 mijë e 682 raste pozitive dhe 11 vdekje.

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë numërohen mbi 19 mijë raste aktive.

Gjithashtu, nga e premtja e 20 gushtit, në vend kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër COVID-19.

Në këtë mënyrë është ndaluar veprimtaria e klubeve të natës, dasmave, fejesave, ahengjeve të tjera familjare dhe mbrëmjeve të maturës.

Duke parë situatën me pandeminë në disa shtete, Gjermania, Norvegjia dhe Suedia kanë vendosur që të mos i lejojnë udhëtarët nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Ukraina të futen në territoret e tyre, duke i konsideruar këto vende me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e coronavirusit.

Ndërkohë në Shqipëri janë shënuar disa humbje jete nga coronavirus-i dhe ka pasur një dyfishim të rasteve pozitivë.

Por, pavarësisht kësaj, qytetarët nga Kosova fundjavën që lamë pas janë dyndur në Shqipëri dhe anasjelltas.

Radhë kilometrike makinash u regjistrua mëngjesin e së dielës në segmentin Morinë-Kukës.

Qytetarët nga Kosova kanë si destinacion kryesor bregdetin dhe portet shqiptare.

Nga autoritetet shqiptare më herët është bërë me dije se masat nuk kanë ndryshuar dhe se shtetasve që kalojnë kufirin edhe në këtë segment, nuk u kërkohet asnjë dëshmi se kanë kaluar virusin, apo t’u bëhet një test i shpejtë.

Nga zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, bëjnë me dije për AP se, përgjatë tri ditëve, u vu re një rritje e personave që kanë dalë në kufirin e Morinës.

Nga 30 mijë e 174, që ishte numri i personave të cilët kanë dalë më 20 gusht (hyrja në fuqi e masave të reja), ky numër kapi shifrën e 42 mijë e 274 më 21 gusht, për të kulmuar në gati 50 mijë më 22 gusht.

Më poshtë tabelat ilustruese:
Të dhënat e datës 19 gusht 2021
Të dhënat e 20 gushtit
Të dhënat e 21 gushtit
Të dhënat e 22 gushtit
A ka reflektuar ky fluks i udhëtarëve nga Kosova në rritjen e rasteve me COVID-19 në Shqipëri?

Në Spitalin Infektiv të Shqipërisë po marrin trajtim spitalor të specializuar mbi 70 pacientë.

Të kontaktuar nga AP-ja, zëdhënësja për shtyp e Ministrisë së Shëndetësisë, Etiola Kola, u shpreh se masat e ndërmarra të COVID-it do të qëndrojnë në fuqi.

Sipas saj, i takon Komitetit të Ekspertëve për të udhëzuar për një ndryshim të ri.

Më herët, AP-ja ka komunikuar edhe me epidemiologun e njohur Pёllumb Pipero, për tё pasur një panoramë më të qartë tё asaj se si mund të paraqitet situata në sezonin vjeshtë-dimër.

Sipas tij, “vjeshta dhe dimri sa i takon COVID-19 do tё jenё realtivisht tё qeta pёr vendin tonё”.

Këtë ai e bazon te “numri i personave tё infektuar, me apo pa shenja klinike dhe rrjedhimisht edhe imunitetin natyral tё fituar, qё sipas studimeve tё fundit ёshtё relativisht afatgjatё, por dhe vaksinimin e qytetarёve”.

Rritje e rasteve te të pavaksinuarit

Po ashtu, epidemiologu ka thënë se “natyrisht qё do tё ketё prezencё tё rasteve pozitive tё virusit, veçanёrisht te personat e pavaksinuar”.

Megjithatë, ai është shprehur optimist, pasi “nuk besoj tё ketë një agravim tё sëmundjes. Parashikoj një situatë relativisht tё qetё, pavarësisht se ky virus vazhdon tё na vendosë para situatave tё paparashikuara”.

Masat e nevojshme

Pёr sa i pёrket planifikimit tё masave pasardhёse, Pipero thotë se nuk mendon se ёshtё e nevojshme njё shtrёngim i tyre.

Gjithçka është në dorë të qytetarëve, “nёse ata i pёrgjigjen me pozitivitet kёrkesёs sё autoriteteve shёndetësore pёr t’u vaksinuar sa mё shpejt”.

Epidemiologu e bazon lehtësimin e masave edhe te ritmi i procesit të vaksinimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore