Lajme

“Flamujt kuqezi nuk ishin direktivë e jona, i kanë marrë shoqatat e dala nga lufta” – organizatori i protestës kundër Asociacionit tregon pse s’kishte flamuj të Kosovës në protestë


Protesta kunder Asociacionit

“Flamujt i kanë marrë me vete shoqatat e dala nga lufta, ndoshta e kanë më afër zemrës flamurin kombëtar se sa atë të Kosovës, kështu që nuk ka qenë direktiv e parlamentit që të ketë aq shumë flamuj të Shqipërisë, e as pak të Kosovës. Këtë e kam vërejtur pasi që ka përfunduar organizimi”, është shprehur në një prononcim për Albanian Post, nënkryetari i Parlamentit Studentor, Bleron Beka.

Këto komente i bëri pasi që në marrshin e organizuar nga Parlamenti Studentor kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, u vërejt dominanca e flamujve të Shqipërisë, derisa flamuj të Kosovës s’kishte fare.

Gjithashtu, në këtë protestë u dëgjuan edhe thirrje me karakter kombëtar. Mirëpo, sipas Bekajt këto nuk përkonin me thirrjet e nxjerrura nga këshilli organizativ.

“Në asnjë formë qëllimi i Parlamentit Studentor nuk ka qenë për thirrur në kauza të tjera, siç është ajo e bashkimit kombëtar apo të tjera të ngjashme. Ka qenë vullneti i qytetarëve pjesëmarrës, dhe ato brohoritma kanë qenë prej qytetarëve dhe jo me direktiva tona, asnjëherë. Ndërsa, të tjerat që e kanë kundërshtuar Asociacionin, patjetër kanë qenë të organizuar nga ne”.

Tutje, ai shtoi se parullat që i ka miratuar këshilli organizativ janë: “Bashkë kundër Asociacionit, Kosova Republikë, Zajednica nuk kalon, Kosovë multietnike, Jo Asociacion monoetnik”, dhe çdo thirrje tjetër ka qenë e nxitur nga vetë masa.

Ndërkaq, sa i përket numrit të pjesëmarrësve, nënkryetari i Parlamentit Studentor potencoi se nuk ka ndonjë të dhënë të saktë, “Mirëpo, sipas disa perceptimeve kanë qenë rreth 2 mijë deri në 3 mijë pjesëmarrës”.

Ky marsh, vjen në kohën kur ndërkombëtarët kanë shtuar presionin kundrejt Kosovës, për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke e konsideruar si një obligim që vetë Kosova e ka nënshkruar në Bruksel në vitin 2013.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore