Jetesë & Stil

Fjolla Morina i rikthehet mediave sociale, largon imazhet me Fisnik Sylën


Ka kohë që kur këngëtarja, Fjolla Morina, nuk ka qenë aktive në llogaritë e saj të rrjeteve sociale, si pasojë e paraburgimit ndaj akuzave mbi “trafikim të armëve dhe municion”.

Por, një epoke të tillë duket t’i ketë ardhur fundi, sepse data 27 shtatori e riktheu Fjollën në platformat virtuale, teksa e ka uruar të bijën, Alayahn, për ditën e saj të parë të shkollës.

Imazh i publikuar nga Fjolla Morina në Instagram.

“Një fillim i ri sot për ty vajza ime e vogël, uroj të jetë i mbarë rrugëtimi drejt dijes”.

“Jam shumë kenare me ty Alayah Morina, suksese për ty dhe gjithë fëmijët anë e kënd botës”, ka shkruar Fjola në fotografinë e publikuar në Instagram, ndërsa shihet pranë vajzës së saj dhe mësues së Alayahs.

Ndërkohë, në mediat rozë po aludohet për një ndarje të mundshme mes saj dhe bashkëshortit me të cilin u kurorëzua në Maldive, Fisnik Sylën.

E gjithë kjo vjen pasi që dyshja, Morina e Syla, i kanë fshirë që të gjitha fotografitë që kishin bashkë në rrjetet sociale.

Fisnik Syla dhe Fjolla Morina.

(Ish)-Çifti akoma nuk ka dhënë ndonjë detaj rreth një ndarje të mundshme mes tyre.

Si për çudi, për të lënë publikun akoma më në kureshtje, dyshja po vazhdojnë të përcjellin njëri-tjetrin në Instagram.

Kujtojmë se me 19 korrik të këtij viti, Policia e Kosovës ka arrestuar, artisten, Fjolla Morina, e cila ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Shqipërisë, pasi mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municion.

Lajmin për arrestimin e Morinës për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për regjionin e Prishtinës, Baki Kelani.

“Në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Shqipërisë, më 19.07.2017 në Prishtinë, nga njësia policore FAST-Kosova në bashkëpunim me zyrtaret policorë të stacionit policor ‘Jugu’ në Prishtinë, është arrestuar e dyshuara femër, e cila ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare”, thuhej në raportin e publikuar për media.

Ndryshe, Fjolla Morina ishte mbajtur në arrest shtëpiak në Kukës për një muaj, por më pas ajo ishte arratisur dhe policia e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ajo u dënua më datë 25 mars nga Gjykata e Kukësit me 9 vite burgim, që pas zbritjes së 1/3 prej gjykimit të shkurtuar u bënë 6 vjet.

Prokuroria kishte kërkuar vetëm 7 vjet, por Gjykata u tregua më e ashpër, pasi Gjykata më herët ndryshoi edhe klasifikimin e veprës penale nga armëmbajtje pa leje në trafikim të armëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore