Përballje

Fitojnë kombëtaret e mëdha në Amerikën e Jugut, shkëlqen Messi me Argjentinën


Mëngjesin e së premtes (me kohën tonë lokale), në Amerikën e Jugut është zhvilluar xhiroja e nëntë e ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës, ku nuk kishte ndonjë befasi, pasi të gjitha kombëtaret e mëdha ia dolën të triumfojnë.

E nisim me fitoren e Argjentinës, që mposhti me rezultat 3:0 Bolivinë, ku shkëlqeu Lionel Messi duke shënuar tre gola.

Që në minutën e 14-të, Messi hapi serinë e golave, ku pas një aksioni individual kaloi një lojtar dhe nga një distancë rreth 25 metrash shënoi një gol shumë të bukur.

Pjesa e parë u mbyll me shifrat 1:0, derisa në të dytën Argjentina vazhdoi dominimin dhe lojën e mirë duke shënuar edhe dy gola dhe duke siguruar fitoren e radhës.

Golin e dytë të takimit, Messi e shënoi në minutën e 64-të, ku pas disa kombinimeve shumë të mira me Lautrao Martinez-in, arriti të dërgojë topin në rrjetë.

Derisa goli i tretë për gjashtë herë fituesin e Topit të Artë, erdhi dy minuta para përfundimit të kohës së rregull, ku ai u gjend më së miri në zonë, pas një topi të pritur nga portieri kundërshtar.

Rrugën e fitores në këto ndeshje e gjeti edhe kombëtarja e Brazilit, të cilët mposhtën Peru-n me rezultat 2:0.

Të dy gola e këtij takimi u shënuan në pjesën e parë, ku Ribeiro realizoi në minutën e 15-të, më pas Neymar shënoi në të 44-tën për rezultatin përfundimtar 2:0.

Kjo ishte fitorja e tetë për Brazilin, të cilët pas po aq ndeshjeve renditen në vendin e parë në grup me 24 pikë, ndërsa Peru pozicionohet në vendin e shtatë me tetë pikë gjithsej.

Në anën tjetër Kolumbia e mposhti kombëtaren e Kilit me shifrat 3:1.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi të dyfishtë të Kolumbisë, me dy golat e realizuar nga futbollisti i Gremios, Miguel Broja në minutat 19 dhe 20.

Kilianët arritën të ngushtojnë epërsinë në minutën e 56-të me anë të Jean Meneses, kurse golin e tretë për kolumbianët e shënoi futbollisti i Porto-s, Luis Diaz në minutën e 74-të.

Me këtë fitore Kolumbia ngjitet në vendin e pestë në tabelë me 13 pikë, ndërsa Kili e gjendur në krizë, mbetet në vendin e tetë me shtatë pikë.

Fitore të vështirë arriti edhe Uruguai, të cilët mposhtën me rezultat minimal 1:0 Ekuadorin.

Golin e vetëm në këtë takim e shënoi futbollisti i Cagliari-t, Gaston Pereiro në minutat shtesë të lojës.

Me këtë fitore Uruguai ngjitet në vendin e tretë me 15 pikë, duke lënë prapa Ekuadorin në vendin e katërt, me dy pikë më pak.

Rrugën e fitores e gjeti edhe Paraguai. Ata mposhtën kombëtaren e Venezuelës me shifrat 2:1.

Martinez realizoi golin e parë për paraguaianët në minutën e shtatë, pastaj me të filluar pjesa e dytë ata dyfishuan epërsinë me anë të Kaku-s, derisa golin e vetëm për Venezuelën e realizoi Chancellor në minutën e 90-të.

Me këto tre pikë, Paraguai ngjitet në vendin e gjashtë me 11 pikë, kurse Venezuela mban vendin e fundit në tabelë me vetëm katër pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore