Lajme

Finlanda do të vendosë nëse do t’i bashkohet NATO-s “brenda javësh”


Finlanda do të vendosë brenda “javësh” nëse do të aplikojë për t’u bashkuar me NATO-n. Kështu ka deklaruar kryeministrja Sanna Marin, pasi Suedia po shkon drejt anëtarësimit pas pushtimit rus të Ukrainës.

Qeveria e Finlandës dha të mërkurën vlerësimin e saj për mjedisin e ndryshuar të sigurisë në vend, që kur Moska sulmoi Ukrainën – me luftën që dërgoi valë tronditëse në të gjithë Evropën. Sondazhet kanë treguar se shumica e finlandezëve tani besojnë se vendi duhet të aplikojë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake.

Zyrtarët e NATO-s kanë sinjalizuar se Finlanda dhe Suedia fqinje do të mirëpriteshin në aleancën prej 30 anëtarësh nëse aplikonin.

Një vendim i dy vendeve nordike për t’u bashkuar me aleancën e udhëhequr nga SHBA-të do të shënonte një riorganizim themelor të arkitekturës së sigurisë së Evropës, duke zgjeruar kufirin e drejtpërdrejtë të NATO-s me Rusinë dhe duke ndezur tensionet e rritura me Moskën, e cila ka paralajmëruar se do të detyrohej të “ribalanconte situatën” nëse Finlanda dhe Suedia marrin një vendim për t’u bashkuar me NATO-n.

“Ka perspektiva të ndryshme për të aplikuar për anëtarësim në NATO ose për të mos aplikuar dhe ne duhet t’i analizojmë këto me shumë kujdes”, u tha gazetarëve të mërkurën Marin.

“Por unë mendoj se procesi ynë do të jetë mjaft i shpejtë – do të ndodhë brenda javësh”, tha Marin në një konferencë të përbashkët shtypi me homologen e saj suedeze Magdalena Andersson. Parlamenti finlandez do të fillojë të debatojë situatën e sigurisë së vendit javën e ardhshme.

Marin tha se do të kishte kuptim që Finlanda dhe Suedia t’i bashkoheshin aleancës së bashku.

“Nëse më pyesni mua, do të preferoja nëse do të bënim zgjedhje të ngjashme për të gjithë rajonin, por varet nga Suedia çfarë do të vendosë”, tha ajo.

Sakaq Marin deklaroi se kishte “shumë lloje rreziqesh të përfshira me aplikimin, gjithashtu në periudhën kur ne po mendojmë për zgjedhjet që mund të bëjmë. Ne duhet të jemi të përgatitur për të gjitha llojet e veprimeve nga Rusia”.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov paralajmëroi këtë javë se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO “nuk do të sillte siguri shtesë në kontinentin evropian”.

Andersson paralajmëroi kundër nxitimit të vendit të saj në një vendim, por nuk mohoi një raport të mërkurën në gazetën “Svenska Dagbladet” se ajo do të mbështeste një aplikim në NATO në qershor.

“Kjo është një kohë shumë e rëndësishme në historinë tonë. Ka një para dhe pas pushtimit rus”, tha Andersson. “Ne duhet të mendojmë vërtet se çfarë është më e mira për Suedinë në lidhje me sigurinë dhe paqen tonë në këtë situatë. Ne duhet të kemi një proces për ta menduar këtë”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha javën e kaluar se aleatët e NATO-s do të “gjenin mënyra për të adresuar shqetësimet” që të dy vendet mund të kenë për sigurinë e tyre në periudhën e ndërmjetme midis aplikimit për anëtarësim dhe ratifikimit.

Finlanda, e cila ndan një kufi të gjatë me Rusinë, ka zgjedhur më parë të qëndrojë jashtë NATO-s, por ka thelluar bashkëpunimin e saj zyrtar me aleancën vitet e fundit.

Në Suedi, neutraliteti ka qenë prej kohësh pjesë e identitetit politik të vendit, por opinioni publik po ndryshon gjithashtu, me një numër në rritje suedezësh që tani duan të marrin në konsideratë anëtarësimin në NATO.

Partia e Andersson, Social Demokratët, kanë qenë historikisht më rezistente ndaj anëtarësimit në NATO, por përballet me një zgjedhje në vjeshtë, kur siguria e vendit ka të ngjarë të jetë një çështje kyçe.

NATO do të mbajë një samit në Madrid në qershor, kur forma e ardhshme e aleancës do të jetë nën një vëzhgim intensiv pas pushtimit të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore