Kulturë

Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, shfaqet edhe në SHBA nga muaji nëntor


Filmi "Zgjoi"

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Zgjoi” me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, nga pesë nëntori do të shfaqet edhe në kinematë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Aktorja Yllka Gashi, e cila ka edhe rolin kryesor në këtë film ka treguar se “Zgjoi”, do të shfaqet në New York me datën pesë nëntor dhe në 12 nëntor në Los Angles.

“‘Hive-Zgjoi’, me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, me Yllka Gashin në rolin kryesor, filmi më i suksesshëm i kinematografisë shqiptare deri sot, fitues i trefishtë në Sundance 2021 dhe fitues i shumë çmimeve të tjera ndërkombëtare do të fillojë shfaqjen në kinematë Amerikane nga data 5 Nëntor në New York në Film Forum dhe 12 Nëntor në Los Angeles në Laemmle’s Royal Theater”, ka shkruar Gashi në rrjetin social Instagram.

Gashi ka kërkuar edhe përkrahjen, duke shtuar se “bleni biletat online dhe ejani e na takoni” .

Ndërkaq, në muajin shtator, filmi “Zgjoi”, është propozuar nga Kosova si kandidatë zyrtarë për garën e Oscars.

“Zgjoi” është një film dramë kosovar i vitit 2021 i drejtuar nga Blerta Basholli në debutimin e saj regjisorial.

“‘Zgjoi” është sa intim, aq edhe universal, që prekë thellë me tregimin, e dhimbjes, qëndrueshmërisë dhe përfundimisht triumfit. Filmi është i realizuar me mjeshtëri në mënyrë realiste, të përmbajtur dhe me gravitet të thellë. Tregimi i vërtetë i Fahrie Hotit në ‘Zgjoi’-n është shprehje kinematografike inspiruese në sfidimin e status quose dhe rolet nënshtruese të konstruktuara nga shoqëria në Kosovë dhe botë”, ka deklaruar komitetit selektues pas përzgjedhjes së filmit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore