Film

Fillon restaurimi i filmit të parë shqiptar “Tana”


Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) në suazën e proçesit të restaurimit dhe dixhitalizimit të filmave të vjetër shqiptar fillon punën me filmin e parë shqiptar “Tana”. AQSHF dha lajmin ditën e lindjes së aktores Tinka Kurti, që luan në këtë film rolin e Tanës.

“Tana” është filmi i parë i mirëfilltë i kinematografisë shqiptare: jo vetëm si i pari film artistik dhe me kohë të plotë por edhe sepse tërë kasti i produksionit ishte shqiptar, ashtu si subjekti i jetës së fshatit shqiptar.

Ai u realizua në vitin 1958, prodhuar nga Shqipëria Film (më pas Kinostudioja “Shqipëria e Re”). Premiera u shfaq të njëjtin vit, më 17 gusht.

Me regji nga Kristaq Dhamo, skenar të Kristaq Dhamos, Nasho Jorgaqit dhe Fatmir Gjatës, ngjarjet mbështeten në novelën adashe të këtij të fundit.

Muzika e kompozitorit Çesk Zadeja, shoqëron ngjarjet që zhvillohen në vitet ‘50 në një fshat të Korçës. Në sfond problemet e shoqërisë shqiptare të kohës, kolektivizimi në fshat, ndryshimet e shoqërisë shqiptare.

Tana është një vajzë e zgjuar e cila dashuron Stefanin (Naim Frashëri), një djalë malësor, romantik, i sinqertë me vështirësitë që i vihen përpara nga paragjykimet.

Tana përballet me mentalitetin e vjetër të gjyshit të saj (Pjetër Gjoka), xhelozinë e kooperativistit Lefter (Kadri Roshi), ndërsa vetë është e zgjuar, e dashur, punëtore dhe me mendime të përparuara. Aq sa në këtë film është xhiruar puthja e parë në historinë e filmit shqiptar.

Kjo mund të ketë luajtur një rol në thyerjen e një tabuje, të paktën në botën e kinemasë, paçka se skena u hoq nga filmi, edhe pas “29 dublave për puthjen”.

Kështu pat rrëfyer aktorja “Nderi i Kombit” në një intervistë duke u shprehur që i ngelet peng që “as sot nuk jepet puthja, pse?”. Mbetet për t’u parë nëse kjo skenë do të rivendoset në versionin e restauruar.

Tinka kurti Tana AQShF Filmi Restaurim
Tinka Kurti, Tana e filmit të parë shqiptar

Në film luajnë gjithashtu Andon Pano në rolin e kryetarit të kooperativës, Thimi Filipi në rolin e sekretarit të partisë, Marie Logoreci si nëna e Stefanit, si dhe Ilia Shyti, Violeta Manushi, Nikolla Panajoti, Melpomeni Çobani, Mihal Stefa, Lazër Filipi, Vani Trako, Pandi Raidhi, Lazër Vlashi, Vangjel Grabocka, Esma Agolli dhe Dhimitër Trajçe.

Ky proces i mirëfilltë restaurimi dhe si në video ashtu edhe në audio ka nisur para disa viteve.

Disa nga titujt e kinematografisë shqiptare të restauruar deri më tani janë “Nëntori i dytë” i vitit 1982 me regji nga Viktor Gjika, “Përrallë nga e kaluara” 1987 dhe “Përjetësi” 1974 me regji nga Dhimitër Anagnosti, “Mimoza llastica” i vitit 1973 me regji nga Xhanfise Keko, “Skëndërbeu” 1953 nga Sergei Jutkevic etj, të gjithë pjesë e fondit filmik të AQShF-së.

Ministria e Kulturës në bashkëpunim me punishtet Cinegrell në Zürich dhe PostFactory në Berlin mundësojnë restaurimin. Restaurimi i filmave është një mision që institucioni AQSH-së ka ndërmarrë prej vitesh dhe pritet të vijojë me filma të tjerë.

Kineasti Skënder Jaçe i cili bashkëpunon shpesh me AQSHF, thotë se restaurimi i pelikulave të filmave të vjetër “ndodh rëndom në botë, duke filluar nga veprat e babait të kinemasë, Charlie Chaplin-it”.

Këtë standard “e ka bërë të nevojshëm vetë zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë”. Por kinemaja shqiptare kërkon vëmendje të madhe në restaurimin e fondit filmik për imazhin dhe pistat e zërit” është shprehur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore