Lajme

Fëmijët afganë që punojnë për një copë bukë


Numri i fëmijëve që punojnë për t’i mbajtur familjet e tyre në Afganistan, po rritet çdo ditë e më shumë. Kjo pasi që ky shtet po përballet me kolaps ekonomik, i cili është shfaqur si rezultat i ndalesës së financimeve ndërkombëtare pas pushtimit nga talebanët.

Por, një gjendje pothuajse e njëjtë ka mbretëruar edhe para pushtimit të Afganistanit nga talebanët, ndërsa qindra mijëra fëmijë detyroheshin të sigurojnë jetesën për shkak të varfërisë ekstreme.

Mediumi BBC ka realizuar një video material me fëmijët afganë, por edhe me prindërit e tyre, të cilët rrëfejnë vështirësitë me të cilat ata janë të detyruar të përballen.

Fëmijët afganë.

“Babai im ka humbur punën e tij dhe askush tjetër në shtëpi nuk punonte. Kështu që unë fillova të punojë duke pastruar këpucët e njerëzve”, thotë një fëmijë afgan.

Përgjatë video materialit shfaqen edhe tre fëmijë të tjerë, dy prej të cilëve punojnë dhe një që sigurohet për miqtë e tij, që këta të fundit të mos kenë probleme.

“Këta janë kushërinjtë e mi. Kanë filluar të punojnë pothuajse një muaj më parë”, thotë ai.

“Unë rri me ta për t’i siguruar në rast se dikush dëshiron t’i godasë ata”, shton fëmija.

Kudo që shëtit nëpër Kabul, ju shihni fëmijë duke punuar – duke shitur kafe shoferëve të makinave e duke mbledhur mbeturina dhe krejt kjo si rezultat i kolapsit ekonomik.

Në një intervistë të dhënë për BBC, një banor afgan tregon se si nuk ia del të mbledhë më shumë se 10 afgani (0.85 cent) në ditë.

Fëmiju afgan duke punuar.

“Vij këtu çdo ditë, por nuk arrij të mbledhë as 10 afgani në ditë. S’mund të siguroj një kafshatë buke për darkë për familjen time. E njëjta situatë është për të gjithë”, thotë Malik Shah, babai i një fëmijë që punon.

Ndërkohë, Faiz e Khuda, babai i një fëmijë tjetër që po përballet me punën e vështirë thotë se – “Nuk ndihem mirë që fëmije im po punon. Por, situata është shumë e keqe. Nuk kemi zgjedhje tjetër pos t’i detyrojmë ata të punojnë”.

Në fund, fëmijët nuk ankohen për punën që bëjnë, por ata shprehen të mërzitur që nuk kanë mundësinë të kthehen në ambientet shkollore.

Për më shumë detaje, ndiqeni materialin e BBC.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore