Aplikacione

Facebook-u do t’i japë fund trajtimit të veçantë për politikanët


Pretendohet se media sociale, Facebook, po planifikon t’i japë fund një politike që përjashton në mënyrë efektive politikanët nga rregullat e moderimit të përmbajtjes.

Lëvizja u raportua fillimisht nga The Verge, faqe kushtuar teknologjisë, duke treguar se kompania e mediave sociale pritet të shpallë politikën e saj të re.

Agjencia e lajmeve, The Guardian, shkruan se ndryshimi vjen teksa Facebook-u përballet me kritika në rritje nga gazetarët, ligjvënësit dhe punonjësit e tij, për lejimin e udhëheqësve dhe politikanëve botërorë të përdorin platformën për të përhapur dezinformime, shuar kritikat dhe ngacmuar kundërshtarët.

Gjithashtu pritet që kompania teknologjike të njoftojë një përgjigje në bordin e saj të pavarur të mbikëqyrjes, i cili kohët e fundit këshilloi që llogaria e ish presidentit amerikan, Donald Trump, në Facebook nuk duhet të rikthehet. Llogaria e tij në platformë ishte pezulluar pas ndarjes së postimeve në të cilat lavdëroheshin protestuesit që sulmuan kryeqytetin amerikan në trazirat vdekjeprurëse të gjashtë janarit.

Bordi ka bërë me dije se si pjesë të rekomandimeve të tij jo-detyruese, të njëjtat rregulla duhet të zbatohen për të gjithë përdoruesit dhe se politikat ekzistuese duhet t’u komunikohen qartë përdoruesve.

Gjithashtu ka thënë se krerët e shteteve dhe zyrtarët e qeverisë mund të kenë një fuqi më të madhe për të shkaktuar dëm.

Prej kohësh, kompanitë e mediave sociale si Facebook-u dhe Twitter-i kanë pretenduar se nuk duhet të censurojnë atë që politikanët ndajnë. Mirëpo, ata kanë ndërmarrë disa hapa për të frenuar dezinformimet e ndara nga udhëheqës të caktuar në SHBA.

Nga një hetim i The Guardian u zbulua se Facebook-u kishte lejuar abuzime të mëdha në platformën e saj në vendet e vogla jo-perëndimore.

Në muajin prill, agjencia raportoi se platforma “në mënyrë të përsëritur ka dështuar të marrë masa në kohë kur u paraqiten prova të manipulimit të shfrenuar dhe abuzimit të mjeteve të saj nga udhëheqësit politikë në të gjithë botën”.

Këtë javë, pritet që politika e re që do të prezantohet nga Facebook-u, do të ndalojë së nënshtruari postimet nga politikanët në të njëjtin kontroll të pavarur të fakteve që ndajnë burimet e tjera.

Shefi ekzekutiv i Facebook-ut, Mark Zuckerberg, ka argumentuar gjatë që kompania nuk duhet të policojë fjalimet e politikanëve.

Aktualisht kompania i përjashton postimet dhe reklamat e politikanëve nga programi i saj i kontrollimit të fakteve të palëve të treta dhe “përjashtimi i saj i vlefshmërisë së lajmeve” lejon postimet e tyre të shkelin rregullat në faqe nëse interesi publik tejkalon dëmin.

Nga ana tjetër, Facebook-u ka deklaruar se nuk e ka zbatuar lejimin e saj të vlefshmërisë së lajmeve në çështjen e ish presidentit Trump.

Bordi ka theksuar se konsideratat e “vlefshmërisë së lajmeve” nuk duhet të marrin përparësi kur nevojiten veprime urgjente në platformë për të parandaluar “dëme të konsiderueshme”.

Ndërkohë, i ka dhënë platformës gjashtë muaj afat për të vendosur mbi një “përgjigje proporcionale” në çështjen Trump, e cila mund të shihte që llogaria e ish presidentit të restaurohej, bllokuar përgjithmonë ose pezulluar për një periudhë të caktuar kohe.

Por, Facebook-u nuk ka njoftuar ende për një vendim nëse ish presidenti do të rikthehet në platformat e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore