Shqipëria

Fabulat e rrugicave të Korçës


Nganjëherë, të përjetosh përmes rrëfimit të kaluarën, mund të jetë plotësi e kohës që nuk rresht së rrjedhuri.

Këtë të kaluar ndryshe është përpjekur ta rrëfejë për Albanian Post edhe Hasie Shehu. Një grua në moshë, thinjoshe, të cilës teksa flet, zëri i merr një tjetër ngjyrë e sytë i pasqyrojnë atë ditë. Ditën kur Karnavalet e Korçës do të pushonin së ekzistuari.

Ajo e nis kështu historinë e saj krejt të veçantë:

“Jam rritur në Shtëpinë e Fëmijës. Aty nuk na linin të dilnim… shikonim vetëm paradën, na nxirrnin veç në darkë. Parada niste te Teatri ‘Çajupi’, vazhdonte te Kinema ‘Morava’ e deri te Parku Rinia, pasi në këtë rrugë bëhej xhiroja.

Veç kaq mundnim të shikonim. Se si kërcenin, këndonin. Vinin edhe njerëz nga fshatrat, dilnin me lagje… ishte diçka e organizuar.

Për të veshurën s’mund të kishte më mirë, pasi veshjet u vinin nga jashtë.

Kam qenë vetë në vitin kur Karnavalet u ndërprenë. Kishim dalë të gjithë dhe ndodheshim përpara Kinema ‘Morava’-s, sepse atje na mbanin. Mirëpo, aty hynë disa diversantë, në turmë, për një sabotim të madh. Dhe kjo u kuptua e kështu u ndërpre shfaqja.

Gjithë njerëzia u shpërnda. Nuk ditën se nga vajtën e se nga shkuan. Ngjashëm si të kishte rënë një bombë atje brenda. Ne, të cilët ishim të Shtëpisë së Fëmijës, na morën dhe na mblodhën te dera e kinemasë. Pastaj, na çuan në shtëpinë tonë.

Dëgjuam të na thoshin vetëm ‘shpërndahuni’, e ne na mblodhën turmë kur më pas, asnjë nuk dëgjuam e nuk morëm vesh”.

Kohë të gjallëruara

Alvina Mukollari tregon për Albanian Post se Karnavalet do të sjellin gëzim pas këtyre kohëve jo fort të këndshme.

“Në kohë të heshtura si këto që kaluam gjatë dy viteve të pandemisë, Karnavalet janë ato që më emocionojnë më shumë”, tregon ajo.

Teksa kujton vitet më parë tregon se “rrugët e Korçës gjallëronin nga njerëz të lumtur, veshur me kostume e maska. Jam e rritur mes këtyre rrugicave festive dhe sytë e çdokujt ndriçojnë ndryshe gjatë Karnavaleve”.

Mukollari rrëfen se në një ditë të tillë nuk mungon as i madh e as i vogël. Të gjithë i admirojnë kostumet, maskat dhe veshjet e të gjithë personazheve të shpërndarë në të gjithë qytetin.

“Festat janë dëshmi që vërtetojnë se njeriu gjithnjë gëzon, prandaj Karnavalet në sytë e mi janë simboli i festës”, thotë e reja.

Ndërkohë, ravijëzon se ndjesia e këtij viti do të jetë ndryshe, duke vijuar se “kam përshtypjen që emocionet do të jenë shumë më të mëdha, qyteti do të jetë më i bukur se kurrë, mbase nuk do t’i shohim të gjitha kostumet në një ambient, por është e sigurt se asnjë pjesë e qytetit nuk do të mbetet pa përjetuar atmosferën e Karnavaleve”.

Mukollari siguron se do të jetë aty mes njerëzve. Ndër të parat që do të presin me padurim shfaqjen e kostumeve dhe, pse jo, të vishet edhe vetë me kostumin e maskën e saj.

“Askush nuk mund t’i rezistojë një feste në fund të fundit”, përmbyll ajo.

Kudo Karnavale

Zamira Kita, aktore e mirënjohur dhe njëkohësisht drejtoreshë e qendrës së artit dhe kulturës në Korçë, ka treguar për Albanian Post se kësaj here, Karnavalet e Korçës do të vijnë ndryshe. Kjo, edhe për shkak të pandemisë.

“Ndryshe nga herët e tjera kur Karnavalet kanë qenë të organizuara në dy ditë, kemi vetëm një ditë për shkak të daljes nga pandemia. Kemi bërë një organizim ndryshe, në mënyrë që të mos kemi grupime vetëm në një vend, ndonëse do ta kemi thuajse të pashmangshme këtë kudo ku do të ketë Karnavale”, thotë aktorja.

Që prej orës 11 të paradites, Karnavalet do të jenë në të gjitha rrugët, rrugicat dhe sheshet kryesore të qytetit. Njëfarë shtrirjeje kudo nëpër qytet, pa lënë jashtë lagjet karakteristike të qytetit.

Kita tregon se Karnavalet do të ecin shkujdesur nëpër qytet, duke u përpjekur që atmosfera të jetë e pranishme ngado.

“Gjithsej do të performojnë 30 grupe, nga të cilët 25 janë të Korçës. Ndërkohë, janë veshur thuajse 400 individë, të përkthyera këto në 400 kostume e maska. Edhe vetë qyteti është organizuar i tëri. Shumë prej njerëzve kërkojnë maska dhe kostume, por e kemi të pamundur tanimë që t’i veshim”, rrëfen Kita.

Prandaj dhe nuk përjashtohet mundësia që çdo korçar të nxjerrë prej shtëpisë një kostum apo një maskë dhe t’u bashkohet Karnavaleve.

“Qyteti do të jetë i gjithi në festë. Çdo grup do të ketë një boks me vete dhe secili prej tyre do të ketë muzikën e vet karakteristike të grupit. Kjo bën që mos të jetë e rëndësishme që grupet të ndalojnë para një vendi ku ka foni, por në çdo vend në të cilin mendojnë të ndalojnë, muzikën do ta kenë me vete dhe e kanë shoqëruese”, dallon aktorja.

Kita nuk harron të theksojë se, përpos argëtimit e muzikës në sfond, secili prej grupeve performuese që do të shëtisin rrugëve të qytetit, do të ketë edhe një fabul, e cila në vetvete mbart një mesazh të veçantë.

“Përveç atyre që do të lëviznin, do të ketë edhe grupe të stacionuara. Një prej tyre do të jetë ‘Sulejmani i Madhërishëm’, i cili është bërë për të humorizuar dhe ngacmuar të gjithë ata që përqendrohen vazhdimisht në ndjekje të telenovelave turke”, zbulon Kita.

Aktorja thotë se kjo bëhet për të drejtuar vëmendjen e tyre më shumë kah aktiviteteve kulturore e artistike apo kah librave. Pasi edhe të rinjtë po fokusohesh së tepërmi te telenovelat turke.

Gjithashtu ravijëzon se kjo bëhet “Jo për të ndaluar shikimin e tyre sepse ato kanë vlerat e tyre artistike, interpretative, të kostumografisë e skenografisë, muzikës, por që të jenë në vëmendje të të gjithë ditës”.

Kita zbulon edhe një detaj tjetër. “Sulejmani i Madhërishëm” do të ketë edhe haremin e vet, personazhet e të cilit nuk do të jenë ngjashëm si nëpër filma, por që do të jenë të trajtuar me humor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore