Lajme

Evidentohet regres në efikasitetin e Prokurorisë Speciale të Kosovës


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përmes një konference për media ka bërë të ditur se ka evidentuar regres në efikasitetin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) në krahasim me vitin paraprak.

Kjo për arsyeje që PRSK-ja gjatë vitit 2021 ka zgjidhur më pak lëndë sesa në vitin 2020.

Sipas hulumtuesit të IKD-së, Ramiz Durmishi kjo rënie ka rezultuar megjithëse numri i prokurorëve gjatë këtij viti ka qenë i njëjtë dhe nuk ka arsye tjera objektive që arsyetojnë këtë regres.

“Gjatë vitit 2021, prokurorët specialë nuk kanë arritur të përmbushin normën orientuese në zgjidhjen e lëndëve”, pohoi Durmishi.

Monitoruesja ligjore e IKD-së, Aurela Mërlaku, u shpreh se sa i përket Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, IKD ka evidentuar regres edhe në efikasitetin e këtij Departamenti gjatë vitit 2021, në krahasim me vitin 2020.

“Ky regres gjatë vitit 2021 pothuajse ka dyfishuar numrin e lëndëve të pazgjidhura në fund të periudhës raportuese (nga 59 në 101)”.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (KDI).

Ajo shtoi se PRSK në përgjithësi ka pasur suksese të mirë në aktakuzat që ka ngritur.

“Kjo pasi që nëse marrim parasysh aktgjykimet dënuese dhe liruese, del se 80.6% e personave të akuzuar nga PSKR janë shpallur fajtorë nga gjykata. Ndërsa, nga totali i personave të dënuar nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, 53.52% e tyre janë dënuar me burgim efektiv”.

“Megjithatë, këto rezultate nuk reflektohen edhe në rastet e korrupsionit. Nga të gjitha aktakuzat e ngritura në rastet e korrupsionit për të cilat është shpallur aktgjykimi, vetëm 12.5% e tyre kanë qenë të suksesshme në gjykatë”.

Ajo shtoi se si në fund të vitit 2020 ashtu edhe në fund të vitit 2021, i kanë mbetur të pazgjidhura vetëm nga 5 lëndë.

“Kështu, ishte i paarsyeshëm avancimi i tre gjyqtarëve shtesë në këtë Departament. Duke vepruar në këtë mënyrë, KGJK pa nevojë ka rritur numrin e gjyqtarëve në këtë Departament, duke dobësuar kështu departamentet dhe gjykatat prej nga vijnë gjyqtarët e avancuar”.

Në anën tjetër, Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë mundëson aplikimin e procedurës së verifikimit dhe konfiskimit civil të pasurisë së të pandehurit në rastet kur i pandehuri shpallet fajtor në një procedurë penale.

Përkundër kësaj mundësie të dobishme ligjore për luftim të kriminalitetit, IKD ka gjetur se gjatë vitit 2021 në asnjë rast nuk është aplikuar kjo procedurë nga ana e Prokurorit të Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore