Lajme

Eurodeputeti holandez jep detaje mbi përmbajten e Rezolutës së PE-së për Kosovën e Serbinë


Thijs Reuten

Parlamenti Evropian, këtë të enjte, do të votojë pro ose kundër rezolutës për rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi në seancën plenare në Strasburg të Francës.

Eurodeputeti holandez dhe njëherit raportuesi për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Thijs Reuten, ka dhënë detaje për përmbajtjen e rezolutës, i cili, sipas tij, është i titulluar “Normalizimi Serbi – Kosovë”.

Paragrafi i 26-të i rezolutës, sipas Reuten, ka të bëjë me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovës, e cila u ri-aktualizua pas një deklarate të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili doli të jetë një gabim në përkthim.

“Paragrafi 26: Rikujton se marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun dhe duhet të hyjë në fuqi më së voni më 1 janar”.

Një përkthim jo fort i qartë nga përkthyesja simultane në konferencën e përbashkët të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, krijoji përshtypjen që Franca ka vendosur në mënyrë të një anshme t’ia vendos një stop procesit të liberalizimit të vizave të Kosovës, që pritet të filloi me 1 janar të vitit 2024.

Megjithatë, në citatin e shkruar zyrtar nga Agjencia Franceze e Lajmeve u kuptua se Macron nuk po njofton pezullim për procesin e liberalizimit të vizave, por po flet për vendimin e Francës që si shtet që mban fjalën pezulloi vizat për Kosovën.

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë”, deklaroi Macron.

Por, nuk është e gjitha një deklaratë pozitive.

Macron shtoi se “sot, fjala nuk po mbahet”, duke lënë të nënkuptohet se meqë fjala nuk po mbahet nga Kosova për të bërë punën e vetë, që është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe zbatimi i pikave të marrëveshjes së Brukselit, atëherë gjërat mund të përmbysen.

Prandaj, Macron tha se “pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”.

Një qartësim shtesë për situatën e ka bërë edhe zyra e Macron në një prononcim të shkurtër për ABC News Albania.

Aty thuhet se “presidenti ka folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se cilat ishin kërkesat tona. Në këtë kontekst dhe duke marrë parasysh bllokadën e Prishtinës, presidenti vlerësoi se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur”.

“Për më tepër, është një proces teknik dhe një diskutim që duhet bërë me partnerët tanë evropianë”, thuhet në këtë reagim të zyrës së Macron.

Parlamenti Evropian voton rezolutën për ngjarjet në Veri – në fokus sanksionet ndaj Serbisë e ekstradimi i Radoiçiçit në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore