Euro 2020

Euro 2020, UEFA anulon biletat për tifozët anglez në përballjen me Ukrainën


Departamenti Italian i Sigurisë Publike dhe UEFA kanë vendosur që të anulojnë biletat e shitura te tifozët me banim në Mbreterinë e Bashkuar, për ndeshjen çerekfinale te Euro 2020, ku Anglia do të përballet me Ukrainën në stadiumin “Olimpico” të Romës.

Media italiane “Il Giornale” raporton se të gjitha biletat e shitura nga “mesnata e 28 qershorit” për ata që banojnë në Mbretërinë e Bashkuar konsiderohen të pavlefshme.

Vendimi për anulimin e tyre erdhi nga Departamenti Italian i Sigurisë Publike dhe më pas gjeti edhe aprovimin nga UEFA, që pranoi kërkesat e palës italiane, në mënyrë që të shmanget çdo rrezik i infektimit me variantin e ri “Delta” të koronavirusit, lidhur me ardhjen e tifozëve nga Mbreteria e Bashkuar.

Rritje e të infektuarve me variantin e ri të koronavirusit kishte alarmuar pak më herët edhe qeverinë britanike, e cila kishte ftuar tifozët që të shmangnin udhëtimin në Romë.

UEFA ka dalë në deklaratë ku thuhet se “me rastin e ndeshjes së futbollit Ukrainë – Angli të planifikuar për në 3 korrik në stadiumin ‘Olimpico’ në Romë, UEFA, me propozimin e Departamentit të Sigurisë Publike, miratoi një protokoll në lidhje me kontrollin e urgjencës pandemike në lidhje me publikun pjesëmarrës në ngjarjen sportive”.

“Në veçanti, duke iu referuar regjimit aktual rregullator në lidhje me ata që kanë qëndruar ose kaluar nëpër Mbretërinë e Bashkuar në 14-te ditët e fundit, është krijuar një politikë e veçantë e biletave e cila parashikon bllokimin e detyrueshëm të shitjes dhe transferimit të biletave deri në orën 21:00 (të ditës së premte), si dhe anulimi i biletave të shitura për banorët e Mbretërisë së Bashkuar duke filluar nga ora 00.00 e 28 qershorit”.

Ndërkohë, Departamenti i Sigurisë Publike ka përgatitur kontrolle rigoroze me të cilat do të verifikojë pajtueshmërinë me dispozitën e miratuar nga UEFA.

Gjithashtu edhe linjave ajrore u është bërë i ditur ky vendim dhe ata persona që do të udhëtojnë nga Britania do të duhet të plotësojnë një formular vetëdeklarimi, ku ndër të tjera do të duhet të garantojnë se nuk janë në Itali për të ndjekur ndeshjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore