Kosova

EULEX: S’kemi mandat për kryerjen e drejtpërdrejtë të operacioneve të bastisjes dhe konfiskimit


Ilustrim

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), nëpërmjet një njoftimi për medie, ka bërë me dije se nuk kanë qenë të përfshirë direkt në bastisjen e hetueseve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në banesën e familjarëve të heronjve të luftës çlirimtare, Fahri dhe Bahri Fazliu, të martën në Prishtinë.

EULEX-i ka njoftuar se që prej vitit 2018 nuk ka mandat për kryerjen e drejtpërdrejtë të operacioneve të bastisjes dhe konfiskimit, derisa në kuadër të kornizave të mandatit aktual për mbështetjen e institucioneve të sundimit të ligjit, mandati i tyre kufizohet vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike për autoritetet gjyqësore.

Fahri Fazliu, nipi i heronjve të luftës, kishte marrë ftesë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në kuadër të Gjykatës Speciale në Hagë të Holandës për intervistim edhe pse gjatë kohës së luftës ka qenë veç 8 vjeç. Albanian Post ka adresuar pyetje edhe në adresën e Dhomave të Specializuara, por deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.

Vëllau i dëshmorëve të kombit, Fadil Fazliu, ka thënë të martën para gazetarëve se arsyet e bastisjes nuk janë bërë të ditura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, ndërsa avokati Artan Qerkini ka theksuar se gjatë bastisjes janë konfiskuar disa dokumente, por nuk është sekuestruar asnjë provë materiale.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Vesternëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faton Klinaku, ka thënë gjithashtu se këto bastisje tregojnë se Gjykata Speciale në Hagë, në mungesë të provave, po vazhdon me “filma” sikurse bastisja e banesës së familjes Fazliu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore