Lajme

EULEX-i kërkon që ceremonitë e betimit të kryetarëve të ndjekin shembullin e Mitrovicës së Veriut, pa incidente


Ilustrim

Ndërsa kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, do betohen të enjten në ndërtesa publike në komunat respektive, ashtu siç tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, siç njihet ndryshe EULEX, ka thënë se pritshmëria është që ceremonitë e betimit të ndjekin shembullin e Mitrovicës së Veriut, pra të mos ketë incidente.

“EULEX-i mbetet vigjilent dhe pret që ceremonitë e betimit të ndjekin shembullin e Mitrovicës së Veriut dhe të vazhdojnë pa incidente. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që mund ta ndryshojnë këtë” thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

EULEX-i ndër të tjera ka theksuar se në vigjilje të betimit të kryetarëve të rinj, niveli i gatishmërisë është rritur si nga ana e tyre ashtu edhe nga ana e Policisë së Kosovës. .

“Duke marrë parasysh ceremonitë e betimit, Njësia e Policisë së Formuar të Misionit dhe Njësia e Policisë së Formuar Rezervë janë të gatshme të mbështesin Policinë e Kosovës si reaguese e dytë e sigurisë, nëse kërkohet dhe nëse është e nevojshme, në ruajtjen e stabilitetit të Kosovës dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj”, thuhet në përgjigjen e EULEX të dhënë për RTV21.

Ashtu si kryeministri Kurti edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka thënë se kryetarët e ri të tri komunave do të betohen të enjten në zyrat lokale për komunitete.

Krasniqi ka nënvizuar faktin se kryetarët e rinj të zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit do të ushtrojnë mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor në Komunën ku janë zgjedhur.

“Ata do të jenë në shërbim të qytetarëve, Ligji për Vetëqeverisjen Lokale parasheh secilin detaj, prandaj kryetarët do të punojnë në Komunën ku janë zgjedhur”, ka thënë Krasniqi fillimisht.

Krasniqi garanton: Kryetarët e rinj do të ushtrojnë mandatin në Komunat ku janë zgjedhur  

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore