Lajme

Escobar në komitetin për Punë të Jashtme: Gjykata Kushtetuese nuk e ndalon Asociacionin


Gabriel Escobar

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili po raporton para senatorëve amerikanë në Komitetin për Punë të Jashtme, është pajtuar me faktin se disa pika të marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk janë në përputhje me frymën Kushtetuese të Kosovës, megjithatë ai ka potencuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e ndalon formimin e Asociacionit.

Escobar, ka bërë të qartë se SHBA-të kërkojnë që Asociacioni të implementohet sipas modelit të dakorduar nga të dy palët, kështu duke u përgjigjur pyetjes së senatorit, Bob Mendez, i cili ka ngirtur si çështje presionin që administrata amerikane po i bënë Kosovës që të implementojë një marrëveshje përkundër faktit që Gjykata Kushtetese e Kosovës ka gjetur papërputhshmëri në disa pika të saj.

Bob Mendez

“Ne e përkrahim formimin e Asociacionit për shumë arsye. E para është arritur marrëveshje. Gjykata Kushtetuese i ka shpallur disa pika si jokushtetuese, por s’ka thënë se Asociacioni në vete është jokushtetues. Në dialog, u takon Kosovës dhe Serbisë të caktojnë se si do të duket. S’duhet dhe nuk duam që të jetë e ngjashme me Republikën Sërpska”, ka thënë Escobar.

“Kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës të shohë modele se si ata besojnë se mund të duket e që s’do të minonte sovranitetin apo funksionalitetin, si mënyrë për t’i lejuar serbët të vazhdojnë të kenë mirëqenie, benefite më të mëdha e edukim në gjuhën serbe”.

“Qëllimi i dialogut është që gjithçka të lëvizet në drejtim të Kosovës, të jem i sinqertë, që të ketë përfundim me njohje të ndërsjellë e normalizim raportesh, diçka që s’e kanë. Jo vetëm status, por njohje se janë shtet i pavarur dhe sovran. Dialogu është mekanizmi dhe e ka dëshmuar se është ai që mund të heqë dallimet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore