Lajme

Emërimi i Kryeprokurorit, Osmani: S’është vendim që merret shkel e shko


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ende nuk ka marrë ndonjë vendim për dekretimin apo jo të kandidatit të propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Blerim Isufaj, si kryeprokuror i shtetit.

Megjithatë sipas Presidentes lidhur me këtë temë zyra e saj është duke i analizuar materialet shtesë të dërguara nga KPK dhe çdo rrethanë të krijuar lidhur me këtë proces, pasi sipas saj vendimi për kryeprokuror të shtetit nuk është vendim që merret shkel e shko.

Sipas Osmanit, përveç se vendimi lidhur me këtë temë është e ndërlikuar, ajo ka theksuar se presin edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi që njëri prej kandidatëve për kryeprokuror të shtetit, Shqipdon Fazliu, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së zgjedhjes për postin e kryeprokurorit të shtetit, duke kërkuar si masë të përkohshme pezullimin e procedurave të emërimit të Isufajt.

“Ne jemi duke i analizuar materialet shtesë që i ka dërguar KPK sepse dosja që është dërguar nuk ka qenë e plotë, tani janë në analizë e sipër, dua ta potencoj që kemi marrë vërejtje të shumta që janë konstatuar nga ana e organizatave monitoruese, qofshin ata partnerë vendorë si OJQ apo ndërkombëtarë”, ka thënë Osmani për KosovaPress.

Sipas saj Ligji në këtë rast nuk parasheh ndonjë afat për të marrë vendim.

“Në momentin që kemi vendimin përfundimtar i cili merr parasysh të gjitha këto zhvillime që i përmenda, natyrisht që të gjithë qytetarët do të njoftohen sepse nuk është vendim që merret shkel e shko, por duhet t’i ketë parasysh analizat e secilit dokument, por po ashtu edhe ta dëgjojmë zërin e secilit që ka qenë i përfshirë në këtë proces”, ka shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore