Kultura

Embargoja e artit


Të hënën e 23 gushtit, Ambasada Amerikane në Shqipëri, nëpërmjet një komunikate zyrtare, zbuloi firmosjen e një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU) mes Ministrisë së Kulturës dhe Shteteve të Bashkuara, për disa kufizime në importin e disa kategorive të objekteve apo materialeve kulturore dhe arkeologjike.

E pranishme në takim ishte ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, e cila u takua me Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë, Matthew Lussenhop.

Sipas njoftimit të ambasadës, kjo ditë “shënjon një tjetër moment historik në shkëmbimet kulturore ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”.

Më tej, ambasada shton se kjo Marrëveshje do të forcojë dhe zgjerojë bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në luftën kundër vjedhjes dhe trafikimit të objekteve kulturore nga Shqipëria”.

Embargo

Republika e Shqipërisë, gjatë muajit prill, bëri një kërkesë, nëpërmjet së cilës kërkoheshin kufizime të importit të pothuajse të gjithë artit shqiptar, objekteve etnografike dhe objekteve arkeologjike në Shtetet e Bashkuara.

Komiteti për Politikën Kulturore dhe Aleanca e Trashëgimisë Globale paraqitën dëshmi mbi kërkesën e Shqipërisë, duke shpjeguar se kërkesa nuk përmbushte kërkesat ligjore të SHBA-ve.

Pjesërisht, sipas tyre, për shkak se Shqipëria nuk dha asnjë provë që vërtetonte se ekziston një treg i SHBA-ve me artin e plaçkitur të çdo lloji nga Shqipëria.

Më tej, ata shtuan se nuk kishte ndonjë të dhënë që tregon për import të paligjshëm ose shitje në Shtetet e Bashkuara të artit shqiptar të grabitur, as në regjistrat zyrtarë.

Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili ka inkurajuar krijimin e bllokadave të artit, pavarësisht nga origjina e tyre, siguroi një listë të objekteve të propozuara të kufizuara:

“Materialet arkeologjike të kërkuara, datojnë nga Paleoliti i Mesëm deri në Periudhën Osmane dhe përfshijnë gurë, qeramikë, metal, qelq, dru dhe materiale të tjera organike. Materialet etnologjike të kërkuara datojnë nga periudhat Bizantine, Mesjetare e Osmane dhe përfshijnë ikona dhe afreske të shenjta, materiale të shkruara, të tilla si dorëshkrime të ndriçuara dhe kodikë, veshje tradicionale, veshje fetare, mjete ceremoniale dhe elemente arkitektonike, skulptura, mozaikë që gjenden në strukturat historike ose fetare”.

Me fjalë të tjera, kufizimet e importit do të mbulonin çdo formë arti ose artefakti.

Objektet e vetme shqiptare aktualisht në tregun amerikan janë monedha me vlerë të ulët, shpesh kopje të bëra për të imituar monedhat nga Greqia dhe rajone të tjera, monedha e të cilave qarkulloi më gjerësisht në kohërat antike. Monedhat janë ndër artefaktet antike më të zakonshme dhe përgjithësisht më pak të vlefshme.

Ato janë artefakte që shpesh gjenden aksidentalisht, pasi janë hedhur dhe nuk janë humbur në vendet antike, ose janë gjetur në grumbuj të vegjël që ishin fshehur larg pushtuesve ose bandave plaçkitëse në luftë dhe periudha paqëndrueshmërie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore