Pajisje

Elon Musk hedh poshtë pretendimet mbi satelitët e tij në hapësirë


Zotëruesi i SpaceX-it, Elon Musk, ka hedhur poshtë pretendimet se projekti i vet i shërbimeve satelitore Starlink të internetit ka zënë shumë vend ​​në hapësirë.

“Dhjetëra miliarda” satelitë mund të vendosen në orbita afër Tokës, ka pohuar ai, tregon agjencia e lajmeve “BBC”.

Ky reagim i tij vjen pas një pretendimi të kreut të Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) se ai po cakton “rregullat” për industrinë e hapësirës tregtare në zhvillim.

Këtë javë, Kina është ankuar se stacioni i saj hapësinor u detyrua të shmangte përplasjet me satelitët Starlink.

“Hapësira është thjesht jashtëzakonisht e madhe dhe satelitët janë shumë të vegjël”, ka treguar Musk.

Ai i ka kundërshtuar sugjerimet se projekti Starlink Internet Services po pengonte hyrjen e konkurrentëve në industrinë e satelitëve, duke thënë se ka hapësirë ​​të mjaftueshme në orbitën e Tokës për satelitët.

“Kjo nuk është një situatë ku ne po i bllokojmë në mënyrë efektive të tjerët në çfarëdo mënyre. Nuk kemi bllokuar askënd që të bëjë asgjë dhe as nuk e presim ta bëjmë”, ka theksuar ai.

Për të, “disa mijëra satelitë nuk janë asgjë. Është ngjashëm sikur janë disa mijëra makina në Tokë, nuk është asgjë”.

Josef Aschbacher, drejtori i përgjithshëm i ESA-s, ka paralajmëruar këtë muaj se mijëra satelitë të komunikimit të lëshuar nga Starlink-u do të rezultonin që të kishte shumë më pak hapësirë ​​për konkurrentët.

Ndërkaq, ekspertë të tjerë kanë thënë se nevojiten distanca shumë më të mëdha midis anijeve kozmike për të shmangur përplasjet se sa ka sugjeruar Musk-u.

Edhe më parë, shkencëtarët kanë shprehur shqetësime për rreziqet e përplasjeve në hapësirë ​​dhe u kanë bërë thirrje qeverive botërore të ndajnë informacione rreth 30 mijë satelitëve dhe mbeturinave të tjera hapësinore që rrotullohen rreth Tokës.

Këtë javë, Musk-u bëri bujë, teksa u përball me një reagim të ashpër të mediave sociale, pasi Kina u ankua se stacioni i saj hapësinor ishte i detyruar të shmangte përplasjet me satelitët e nisur nga projekti i tij Starlink.

Pekin-i ka pretenduar se stacioni hapësinor i Kinës pati dy “takime të ngushta” me satelitët Starlink gjatë këtij viti.

Referuar një dokumenti të dorëzuar nga Kina këtë muaj në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Çështjet e Hapësirës së Jashtme, incidentet ndodhën më 1 korrik dhe 21 tetor.

Megjithatë, incidentet nuk janë verifikuar ende që pas paraqitjes së ankesave në agjencinë hapësinore të OKB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore