Lajme

Kritika për Elon Musk-un pas ankesës së Kinës për hapësirën


Në mediat sociale, Elon Musk po përballet me një reagim të ashpër pasi Kina u ankua se stacioni i vet hapësinor u detyrua të shmangte përplasjet me satelitët e nisur nga projekti i tij Starlink.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se Pekin-i ka pretenduar që stacioni hapësinor i vendit pati dy “takime të ngushta” me satelitët Starlink këtë vit.

Por incidentet pas ankesave, të paraqitura në agjencinë hapësinore të OKB-së, nuk janë verifikuar ende në mënyrë të pavarur.

Lidhur me Starlink-un, ai është një rrjet satelitor interneti i operuar nga SpaceX-i në pronësi të Musk-ut.

Referuar një dokumenti të dorëzuar nga Kina këtë muaj në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Çështjet e Hapësirës së Jashtme, incidentet kanë ndodhur më 1 korrik dhe 21 tetor.

“Për arsye sigurie, Stacioni Hapësinor i Kinës ka zbatuar kontrollin parandalues ​​të shmangies së përplasjeve”, ka deklaruar Pekin-i në dokumentin e publikuar në faqen e internetit të agjencisë.

Musk-u, Starlink-u dhe SHBA-të, pasi ankesa u bë publike, u kritikuan rëndë në platformën e mikroblogimit Weibo të Kinës.

Një përdorues i përshkroi satelitët e Starlink-ut si “një grumbull mbeturinash hapësinore”.

Kurse një tjetër ka thënë se satelitët janë “armë amerikane të luftës hapësinore” dhe “Musk-u është një armë e re e krijuar nga qeveria dhe ushtria amerikane”.

“Rreziqet e Starlink-ut po ekspozohen gradualisht, e gjithë raca njerëzore do të paguajë për aktivitetet e tyre të biznesit”, ka shkruar atje një përdorues tjetër.

Nga ana tjetër, Kina ka akuzuar SHBA-të edhe se po i vendosin në rrezik astronautët, duke injoruar detyrimet sipas traktateve të hapësirës së jashtme.

Zhao Lijian, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, ka pohuar se Kina po i kërkonte SHBA-ve të vepronin me përgjegjësi.

Edhe shkencëtarët kanë ngritur alarmin për rreziqet e përplasjeve në hapësirë.

Ata u kanë bërë thirrje qeverive botërore të ndajnë informacione rreth 30 mijë satelitëve dhe mbeturinave të tjera hapësinore që rrotullohen rreth Tokës.

Tanimë, SpaceX-i ka lëshuar afro 1 mijë e 900 satelitë si pjesë e rrjetit Starlink dhe gjithashtu planifikon të vendosë mijëra të tjerë.

Madje NASA, muajin e kaluar shtyu papritur një shëtitje hapësinore nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës për shkak të shqetësimeve për mbeturinat hapësinore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore