Zgjedhjet në Kosovë

Elezi: KQZ ka filluar shpërndarjen e materialit zgjedhor në komunat e Kosovës


Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të shtunën e 16 tetorit ka filluar me shpërndarjen e materialit zgjedhor në komunat e Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media është shprehur se çdo gjë po shkon sipas planifikimeve që kanë bërë.

“Sipas planifikimeve, KQZ po bënë shpërndarjen e materialit kryesor zgjedhor në mesin e të cilave janë edhe fletëvotimet, pra është material për zgjedhjet lokale. Ky material i rëndësisë së veçantë nën përcjelljen e Policisë do të dërgohet në depot e komisioneve komunale në 38 komuna”, deklaroi Elezi.

KQZ-ja më 25 shtator, ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, e cila tregon për numrin e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2021, ndërsa numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është 41 mijë e 12 votues.

Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën me 14 shkurt të 2021.

Materiali Zgjedhor/ Ilustrim

Po ashtu, si votues të rinj, konsiderohen edhe 7 mijë e 378 votuesit të cilët janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe që ishin larguar nga lista votuese sepse kanë pasur vetëm dokumente identifikimi të lëshuara nga UNMIK-u.

18 mijë e 252 votues janë larguar si të vdekur nga lista votuese pas zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, ndërsa numri i personave që janë larguar nga kjo listë për arsye se kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, është 1 mijë e 158 votues.

Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve për 48 orë, në periudhën kur do të votohet për zgjedhjet lokale në Kosovë.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4 mijë e 920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore